Maqedoni
Rikthehet ndotja në Shkup, Qyteti merr masa urgjente për pastrimin e ajrit
26.12.2017 18:13
Shkupjanët u zgjuan këtë mëngjes sërish me ajër të ndotur. Vlerat më të larta të ndotjes janë regjistruar në Lisiçe dhe tek Rektorati...

Stacionet për matjen e vlerave të ndotjes regjistruan për rreth tre orë në Lisiçe vlera të ndotjes mbi 500 mikrogram në një metër kub, ndërsa në orën 21 mbrëmë u matën madje 577 mikrogram.
Me qëllim të uljes së ndotjes së ajrit, Qyteti i Shkupit solli vendim për të ndaluar shpërndarjen e mallrave në territorin më të ngushtë të qytetit prej orës 7:30 deri në orën 18:00.
“Bëhet fjalë për një masë e cila do të kontribuojë në zvogëlimin e ngadalësimit të trafikut rrugor në territorin e qendrës së qytetit. Me këtë do të zvogëlohet edhe sasia e karburantit të nevojshëm, por edhe sasia e gazrave të dëmshme të cilat do të çlirohen. Kjo masë do të zgjasë deri në mars të vitit të ardhshëm, por e njëjta nuk vlen për kompanitë të cilat kanë hapësirë të veçantë për shpërndarjen e mallrave”,- deklaroi zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu.
