Rritet efikasiteti, administrata skanon lëndët
Sipas ministrit të Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski, Ministria që ai drejton është furnizuar me 23 skanerë, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të Administratës…..

Nuk do të ketë më lëndë të fshehura në sirtarët e Administratës. Këtë do ta mundësojë sistemi për udhëheqje elektronike të dokumentacionit në institucionet shtetërore.
Sipas ministrit të Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski, Ministria që ai drejton është furnizuar me 23 skanerë, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të Administratës.
“Secila lëndë që hyn në Administratë do të skanohet, më pas, personat përgjegjës do të shohin se ku stagnon kjo lëndë, në fakt se cili i punësuar ka marrë obligim për lëndën në bazë të kërkesës së qytetarëve. Qëllimi i projektit është udhëheqja e arkivit elektronik, duke i përfshirë edhe personat përgjegjës për miratimin e dokumentit”, deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski.
Nga 1 janari, në arkiv kanë kaluar 139 mijë dokumente, por edhe më tej do të vazhdohet me zbatimin e sistemit në dhjetë institucione.
“Në total, do të përfshihen 20 institucione, të gjitha Ministritë, Sekretariatet dhe Sekretariati Gjeneral i Qeverisë. Në këtë mënyrë do të sigurohet rrjedhë më e shpejtë e informacioneve dhe do të avancohet funksionimi i institucioneve”, theksoi ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski.
Çmimi i skanerëve arrin vlerën prej 1 milion e 520 mijë denarë dhe pritet ndjeshëm të rrisë efikasitetin e Administratës. (Flutura Latifi, TVM2)
