Botë
ShBA, reshje jo të zakonshme bore në Pensilvani
27.12.2017 11:18
Bora nuk është asgjë e re për qytezat amerikane Erie dhe Redifield në shtetin amerikan të Pensilvanisë...

Bora nuk është asgjë e re për qytezat amerikane Erie dhe Redifield në shtetin amerikan të Pensilvanisë, por kjo javë solli një rekord reshjesh në zonë duke detyruara autoritetet që të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.
86 cm borë ranë brenda ditës, 60 centimetra u shtresua në vetëm 4 orë dhe gjithçka është mbuluar me një shtresë të trashë të bardhë. Siç theksuan edhe vetë banorët, nuk ka rëndësi sasia, por periudha e shkurtër në të cilën bora mbuloi tokën.
“Zakonisht në qytezën tonë bie vetëm pak dëborë, por 86 centimetra në vetëm pak orë, sigurisht që është rekord më vete, as që e kemi paramenduar ndonjëherë”,- deklaroi koordinatori i ekipeve të emergjencës, Matt Exeley.
“Ishte vështirë në rrugë, mbeta një orë i bllokuar në autostradë, është bukur, por jo për të dalë me makinë”,- tha banori i qytezës Erie, John Pavlinko.
“Është pak herët për kaq shumë dëborë, zakonisht ne kemi parë kaq shumë por në fund të janarit në fillim të shkurtit, por edhe atëherë jo kaq shumë”,- theksoi banori i Redfieldit, Kevin Barton.
Autoritetet lokale nxituan të marrin masat për t’u përballur me situatën, megjithëse këto masa kryesisht janë paralajmërime në televizione dhe mediat sociale, që u kërkonin banorëve të mos dilnin nga shtëpitë, pasi rrugët janë të bllokuara dhe të rrezikshme.
Sidoqoftë, bora rekord dhe spektakli që ajo ofroi i ka shtyrë njerëzit të dalin nga banesat dhe rrjetet sociale janë mbushur plot foto nga bora e bukur për këtë fundvit.
BELINDA KOKA-ADEMI
