Maqedoni

“Dhuna në Qendër“, anulohet gjykimi, Gruevski: Zaev hakmerret për 11 vite humbje

27.12.2017 14:09

Është anuluar seanca gjyqësore për rastin “Dhuna në Qendër” për shkak të rishpërndarjes së re të gjykatësve...

Gjykatësja e këtij rasti, Tatjana Mihajllova, është ricaktuar në një departament tjetër të gjykatës, ndërsa gjykimi për këtë rast do të fillojë nga e para më 2 shkurt. Prokurori special, Gavrill Bubevski, pas anulimit të gjykimit theksoi se përveç rastit “Trust” asnjëra nga gjykimet nuk është në ndonjë fazë të avancuar. Ai tha se pas Vitit të Ri nuk presin të ketë ndonjë problem gjatë procedurave gjyqësore.
 
“Ky gjykim kishte dy pranime të fajit, për të cilat tani ka vendime të plotfuqishme. Marrja në pyetje e kryqëzuar e zotëri Zhernvovskit është një proces specifik që nuk do të duhet të përsëritet edhe një herë për shkak të përgjigjeve, për çka është më mirë që të anulohet tani, sepse lëndën do ta marrë një gjykatës tjetër”,- deklaroi prokurori special, Garill Bubevski.
 
Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, i akuzuar në këtë rast, tha se Zaev po i hakmerret për 11 vite humbje, duke theksuar se gjykimi kundër tij paraqet hakmarrje politike dhe grackë joprincipiele. 
 
“Asgjë e re nga këto lëndë të cilat i shtyjnë Qeveria dhe PPS. Kjo është një grackë joprincipiele dhe hakmarrje politike. Paramenduan akuza pa dëshmi. Më pas materialet e fituara në mënyrë joligjore u bënë dëshmi. Akti i fundit ishte t’i ndërrojnë gjykatësit”,- tha i akuzuari, Nikolla Gruevski.
 
Pasi dy prej të akuzuarve e pranuan fajin, tani për rastin “Dhuna në Qendër” të akuzuar janë edhe 12 persona, në mesin e të cilëve ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri, Mile Janakievski, dhe deputetja, Daniella Rangellova. I akuzuari, Gruevski, ka për obligim që si masë kujdesi të premten të paraqitet në sportelet e Gjykatës Penale. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI