Botë
Festat e fundvitit, dhurata për fëmijët pa përkujdesje prindërore
27.12.2017 14:30
Festave të fundvitit zakonisht më shumë u gëzohen fëmijët...

Ata me padurim presin që të stolisin shtëpinë dhe të marrin dhuratat nga të afërmit e tyre.
Por, ekziston një numër i madh fëmijësh të cilët rriten nëpër institucione dhe nuk i kanë këto mundësi.
Për t’i bërë këta fëmijë të ndjehen më mirë, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale në bashkëpunim me disa kompani, ndau dhurata për fëmijët e vendosur në institucionet përkujdesëse.
Ata patën mundësi të ndjekin edhe shfaqjen “Përralla dimërore” në Teatrin për fëmijë dhe të rinj.
“Jeta e këtyre fëmijëve që do ta shikojnë shfaqjen është larg përrallave. Por, ne mundohemi që me çdo hap ta përmirësojmë jetesën e tyre dhe mundësinë që edhe ata të ndjekin shfaqje dhe të marrin shërbime më adekuate nga ana e institucioneve ku ata jetojnë dhe përfundimisht të fitojmë një atmosferë më të ngrohtë dhe më familjare”,- deklaroi ministrja për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska.
Carovska, ndërkohë, informoi se ka filluar procesi i deinstitucionalizimit apo i transformimit të institucioneve të mëdha johumane.
Në fokus janë fëmijët në Demir Kapi dhe foshnjat në Manastir, ku po kërkohet mundësi që t’i lëshojnë institucionet dhe kujdesi për fëmijët të vazhdojë në mënyrë adekuate jashtë këtyre institucioneve.
Gjithashtu po punohet edhe në deinstitucionalizimin e tre fëmijëve në Entin në Fushë Tophanë dhe për ta të përkujdesen familje përkujdesëse ose birësuese duke filluar nga janari.
BELINDA KOKA-ADEMI
