Maqedoni

Edukatoret morën pagën e nëntorit, përfundon greva në disa nga kopshtet në Çair

27.12.2017 14:50

Ka përfunduar greva e edukatoreve dhe të punësuarve tjerë në disa prej kopshteve në Çair pas lëshimit të rrogës së nëntorit...

Nga Komuna thonë se vonesa e rrogave ka qenë çështje teknike, pasi komuna ende nuk ka këshill komunal, ndërsa nga Ministria për Punë Sociale kërkon zgjidhje të përhershme për problemin.
 
“Është dhënë elaborati në Ministritë përkatëse për situatën e paraqitur në komunën e Çairit me moszgjedhjen e kryetarit të këshillit, duke marrë parasysh se nuk ka dispozitë ligjore që trajton këtë situatë, është gjetur zgjidhje që pagat e edukatorëve të lëshohen gjatë ditës së sotme”,- deklaroi zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla.
 
“Të gjitha obligimet e shtetit ndaj Komunës janë kryer në kohë, tani ka vetëm probleme teknike, edhe të punësuarit janë njoftuar me situatën. Ne intervenuam menjëherë dhe vërtetuam se në rrjedhë e sipër është procedura për tejkalimin e problemeve që i kanë”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
 
Por, greva e të punësuarve në disa prej çerdheve ka vënë në huti prindërit. Sot në mëngjes shumë prej tyre vullnetarisht nuk i kanë dërguar fëmijët në çerdhe, pasi nuk kanë qenë të sigurt nëse ato punojnë ose jo. Edhe pse para kamerave nuk duan të prononcohen, edukatoret pranojnë se sot në çerdhe ka pasur më pak fëmijë, por sipas tyre prindërit janë informuar në kohë se procesi edukativo-mësimor nuk do të ndërpritet. 
 
“Nëse nuk i kanë marrë pagat, unë i arsyetoj, duhet të paguhen dhe të fillojnë me punë”,- tha një qytetar.
 
“Pasi na u bë e ditur se do të vijë Babadimri dhe do t’u dhurojë fëmijëve paketa, unë që në orën 9 e kam sjellë vajzën. E kishin lajmëruar vajzën se punojnë prapë”,- tha një qytetare. 
 
Pas zgjidhjes së problemit me pagat, kopshtet që deri sot në mëngjes ishin në grevë, lajmërojnë prindërit se procesi edukativo-mësimor po zhvillohet pa ndërprerje.
 
FLUTURA LATIFI