Maqedoni
Deklarata e Ivanovit rreth Ligjit për gjuhët, Xhaferi: Përzierje në punët e brendshme të Kuvendit
27.12.2017 17:19
Qëndrimet e kreut të shtetit, Gjorge Ivanov, nuk korrespondojnë me vullnetin e qytetarëve të vendit...

Qëndrimet e kreut të shtetit, Gjorge Ivanov, nuk korrespondojnë me vullnetin e qytetarëve të vendit, pasi që ky vullnet ka ndryshuar që kur është zgjedhur ai në 2014, e qytetarët në zgjedhjet e fundit i dhanë mbështetje një shumice tjetër që do të udhëheqë reformat dhe proceset e integrimit euroatlantik, vlerësoi kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, në intervistën për “Argument” në TVM2.
Qasjen e presidentit Ivanov rreth përmbajtjes së ligjit për gjuhët Xhaferi e ka cilësuar si ndërhyrje në punën e kuvendit. Pushtetet janë të ndara, tha ai, dhe presidenti ka mundësi të prononcohet pasi të miratohet ligji nga shumica në kuvend. Por, edhe këto situata janë të rregulluara me ligj, tha Xhaferi.
“Procedura parlamentare është paraparë që brenda 30 ditësh nga vendimi i kreut të shtetit që të mos dekretojë një akt të veçantë ose një ligj të caktuar të cilin parlamenti e miraton, ai t’i kthehet parlamentit në procedurë, të cilën në procedurë të paraparë parlamenti edhe një herë e shqyrton dhe e voton, me atë përmbyllet procedura e miratimit të ligjit dhe ai bëhet i plotfuqishëm”,- tha kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi foli edhe për problemet me të cilat përballet në sigurimin e kuorumit gjatë seancave plenare, veçmas pas paralajmërimeve për largimit të ASh-së nga qeveria. Por, ai pret konstruktivitet në mbështetjen e ligjeve nga të gjitha subjektet, qofshin pjesë e shumicës parlamentare ose jo.
“Unë përshëndes përcaktimin nëse është përcaktim definitiv që ASh të mbështesë jo vetëm Ligjin për gjuhët, por çdo veprim të shumicës parlamentare të cilën edhe fillimisht e kanë mbështetur për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me interes për qytetarët dhe vendit në kuptimin e ecurisë së vendit drejt asaj çka është pritshmëri e qytetarëve dhe për vendimet e mundshme të tyre nuk dua të prejudikoj, sepse është e drejtë ekskluzive e subjektit në fjalë”,- u shpreh kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi tha se është i përkushtuar që të zbatojë procedurat parlamentare rregulloren e kuvendit duke mbajtur kështu komunikim permanent me të gjitha grupet parlamentare që përfaqësohen në kuvend. Ndërkaq, mbështetjen apo jo të ligjeve ai e cilësoi si vendim vetanak të deputetëve apo grupeve parlamentare.
NAIM RAMADANI
