Ekonomi
Zaev: 50 milion euro për rritje ekonomike. Mbështetja për kompanitë, Angjushev: Kritere të qarta, jo më marrëveshje nëpër zyra
27.12.2017 17:40
Kushte të njëjta për investime si të kompanive vendore ashtu edhe ato të huaja, hapja e vendeve të reja të punës...

Kushte të njëjta për investime si të kompanive vendore ashtu edhe ato të huaja, hapja e vendeve të reja të punës, mbështetja e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme, rritja e rrogës minimale janë disa nga masat e parapara në planin për rritje ekonomike.
Përmes këtij plani, për të cilin janë ndarë 3.1 miliard denarë, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, thotë se do të mundësojë që vendi të arrijë rritje ekonomike prej 3.2% si dhe do të zhvillohet ekonomia e cila do të formohet në baza të shëndosha.
“Implementimi i planit për rritje ekonomike do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm. Siç kemi paralajmëruar, prej vitit 2018 fillojmë procesin për stabilitet financiar dhe zhvillimin e ekonomisë, si parakushte të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve. Për atë qëllim me buxhetin për vitin 2018 siguruam 3.1 miliard denarë, apo rreth 50 milion euro për programin për rritje ekonomike të vendit tonë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zëvendëskryeministri Angjushev thotë se programi është bërë në mënyrë transparente, ku ka kritere të qarta përmes të cilave secila kompani do ta dijë prej në fillim se për çfarë lloj ndihme mund të konkurrojë, pasi nuk do të ketë më marrëveshje nëpër zyra. Qeveria në mënyrë shtesë do të mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Do të japim mbështetje shtesë financiare për ndërmarrjet mikro dhe të vogla. 30% e shpenzimeve të cilat janë nga puna e ndërmarrjes apo shpenzime për themelimin e ndërmarrjes do të shlyhen, derisa qeveria do të kthejë 70% të shpenzimeve kompanive që do të bëjnë ambalazhim të ri apo që do të krijojnë koleksione të reja të modës, për shkak se me këtë gjithashtu duam që të stimulojmë edhe sektorin e tekstilit”,- tha zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.
Sipas kryeministrit Zaev, plani do të fillojë të funksionojë nga muaji shkurt, ndërsa kompanitë pas sjelljes së llogarive përfundimtare të muajit mars dhe prill do të mund të aplikojnë për masat e planit. Për t’i shfrytëzuar masat, kompanitë duhet që t’i plotësojnë dy kushte gjenerale - që të hyrat e kompanisë në vitin që aplikojnë të jetë më i madh në krahasim me mesataren e të hyrave të tre viteve paraprake, si dhe të mos e zvogëlojnë numrin e të punësuarve.
ERSAN PAJAZITI
