Ndotja sërish në nivele alarmante, fillon aplikimi i masave, transport falas në Shkup

27.12.2017 18:07

Ndotja e ajrit, sidomos në Shkup, vazhdon të mbetet në nivele alarmante....

Ndotja e ajrit, sidomos në Shkup, vazhdon të mbetet në nivele alarmante duke kaluar shumëfish nivelet e lejuara.  

Gjatë mbrëmjes së kaluar niveli i ndotjes në disa lagje të Shkupit ka tejkaluar nivelin e normales. Sipas stacioneve matëse, niveli më i lartë i ndotjes është shënuar në lagjen Aerodrom, Lisiçe dhe tek Rektorati, ndërsa më pak ajri ka qenë i ndotur në Qendër.

Qytetarët thonë se e ndjejnë nivelin e lartë të ndotjes, ndërsa përdorimin e maskave speciale për mbrojtje nga ndotja nuk e shohin si zgjidhje.

Ajri është tepër i ndotur, nuk kemi çfarë të bëjmë. Përdorimi i maskave nuk është zgjidhje”,- tha një qytetar.

Na pengon shumë ajri i ndotur, nuk i përdorim maskat se njerëzit mendojnë menjërë mos jemi të sëmurë, më tepër e vërejmë ajrin e ndotur në mbrëmje”,- theksoi një qytetar.

“Normal që na pengon ajri i ndotur i cili më tepër ndikon tek fëmijët. Qeveria duhet të marrë masa”,- tha një qytetar.

“Mendoj që është i ndotur. Përdorimi i maskave është zgjidhje e përkohshme. Kjo ndikon tek fëmijët dhe paraqet shumë rrezik për fëmijët, mendoj që duhet të ndërmerren masa”,- u shpreh një qytetar.

Masat e kërkuara tashmë janë miratuar . Qeveria sugjeron lirimin nga puna të kategorive të caktuara të të punësuarve, uljen në 50% të përdorimit të automjeteve zyrtare, riorganizim të orarit për ata që punojnë në hapësira të hapura dhe qendra për të pastrehët.

“Institucionet shtetërore kanë për obligim ta zvogëlojnë deri në 50 për qind përdorimin e automjeteve për shërbime ditore, do të ketë kontroll të shtuar në shtëpitë shëndetësore, në ndihmën e shpejtë dhe në organet inspektuese. Gjithashtu do të jenë të hapura të gjitha qendrat për të pastrehët”,- u shpreh zëvendësministri i Ambientit, Jani Makraduli.

Për shkak të ndotjes së lartë të ajrit, Qyteti i Shkupit ka marrë vendim që nga dita e nesërme transporti publik të jetë falas, si në atë shtetëror ashtu edhe në atë privat.

“Në drejtim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit me të cilën ballafaqohemi këtyre ditë, si dhe në përputhje me ingerencat që i kam si kryetar i Qytetit të Shkupit, e informoj opinionin se Qyteti i Shkupit vendos që transporti publik nga NQP dhe të autobusëve privatë deri në momentin e zvogëlimit të ndotjes së ajrit”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Gjithashtu, sipas Shilegovit, do të ndërpriten të gjitha punimet ndërtimore nga ana e Qytetit të Shkupit, Higjiena Komunale do të vazhdojë me pastrimin e rrugëve dhe shesheve të Bashkisë, diçka që u kërkohet edhe komunave përreth. Qytetarëve u bëhet thirrje të mos i përdorin veturat nëse nuk është e nevojshme, ose disa persona të përdorin një veturë për transport. (Gazmend Kurtishi, TVM2)