SHËNDETËSI

Mjekët: Kujdes, të sëmurët nuk duhet të agjërojnë

07.07.2014 15:07

Sipas tyre, të sëmurët kronik mund të mbajnë dietë të rekomanduar nga mjekët që ndjekin kronologjinë e sëmundjes së tyre, por kurrsesi nuk duhet të rrinë pa ngrënë për orë të tëra………..

Qytetarët  që vuajnë nga diabeti, zemra, veshkat apo sëmundje të tjera për të cilat marrin terapi me medikamente, nuk duhet të  agjërojnë gjatë këtij muaji, këshillojnë mjekët, në të kundërt, mund të kenë përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore.

Sipas tyre, të sëmurët kronik mund të mbajnë dietë të rekomanduar nga mjekët që ndjekin kronologjinë e sëmundjes së tyre, por kurrsesi nuk duhet të rrinë pa ngrënë për orë të tëra.

“Shumica e personave kanë qejf që ta mbajnë edhe të moshuarit edhe ata që janë me sëmundje kronike, problemi qëndron te adaptimi i periudhës natë-ditë, adaptimi i periudhës së ushqimit. Te personat, nëse është terapia më tepër se 5 tableta qoftë kardiovaskulare, sëmundjet e diabetit apo me sëmundje të tjera, te ata persona nuk guxojnë të mbajnë “Ramazanin”, pasi në vakte të ndryshme duhet të marrin terapi, duhet shumë lëngje dhe të rrinë në vende të ftohta”, deklaroi mjeku, Sefian Ferati Bellçishta.

I njëjti rekomandim vlen edhe për gratë shtatzëna, të cilat duhet të hanë më shpesh gjatë ditës dhe të marrin vitaminat e nevojshme gjatë shtatzënisë. Gjithashtu nuk duhet të agjërojnë edhe pushuesit në plazh që ekspozohen në diell për një kohë të gjatë, pasi që humbin lëngje të konsiderueshme trupore.

“Më mirë është që produktet e mishit t’i largojmë, të konsumohen zarzavate të freskëta, gjella më të lehta, lëngje, supa, kemi pemë dhe perime sezonale, domatja është shumë efikase, sepse nuk lejon të na hipë tensioni, pasi ka kalium, bananet ndihmojnë, qershitë, dredhëza dhe kumbulla”, theksoi mjeku Sefian Ferati Bellçishta.

Për besimtarët e shëndoshë, agjërimi ka anët pozitive.

Sipas mjekëve specialist, veç kënaqësisë shpirtërore, agjërimi ndikon dhe në rënien nga pasha dhe uljen e obezitetit, por gjithsesi duhet pasur kujdes. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)