Shtohen ofertat për punë sezonale jashtë vendit
Të dhënat zyrtare tregojnë se target grupi i njerëzve që kërkojnë leje për të punuar jashtë Maqedonisë, është prej moshës 18 deri më 40 vjet………

Të dhënat zyrtare tregojnë se target grupi i njerëzve që kërkojnë leje për të punuar jashtë Maqedonisë, është prej moshës 18 deri më 40 vjet.
Zoran Koçovski, tashmë 20 vjet ndërmjetëson me firmat jashtë Maqedonisë, duke ndihmuar të rinjtë të punësohen atje. Por, fillimisht të gjithë ata që kërkojnë punë në zyra të tilla, nuk kanë ide të qarta se çfarë pune kërkojnë.
Thjesht kërkojnë punë pa treguar më parë se çfarë cilësish posedojnë dhe çfarë pune mund të bëjnë atje ku shkojnë. Gjithashtu, të gjithë punëdhënësit jashtë Maqedonisë kanë një kusht të vetëm në kërkesat e tyre për punëtorë sezonal nga Maqedonia. Kushti kryesor është të duan të punojnë.
“Të gjithë ne përballemi me rregulloren e vendeve të BE-së, ku puna aktive do të thotë punë 8 orë në ditë gjatë gjithë periudhës së verës. Për fat të keq, te ne ende nuk ka standarde serioze të punës dhe shpesh ndodh që aplikantët kur shkojnë atje, nuk respektojnë orarin dhe disiplinën e punës, nuk respektojnë hierarkinë dhe nuk respektojnë maksimalisht orarin e punës”, deklaroi ndërmjetësuesi, Zoran Koçovski.
Më shumë në botë, por edhe në Ballkan, kërkohen punëtorë për shërbime hotelerie dhe edhe njerëz me profesione specifike apo zanatçinj. Për periudhën e verës, shtohen ofertat edhe për punë për studentët. Të gjitha punësimet përmes Agjencive të Punësimit janë të rregullta, me kontrata për punë të përkohshme.
Një punë verore është mundësi e mirë për të gjithë ata që duan të fitojnë më shumë të holla, sidomos për studentët. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
