Kabul, sulm me bombë, dhjetëra persona të vdekur
Ministria e Brendshme në Afganistan ka thënë se të paktën 40 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë lënduar...

Ministria e Brendshme në Afganistan ka thënë se të paktën 40 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë lënduar pas disa sulmeve me bomba në një qendër kulturore shiite afër një agjencie të lajmeve në Kabul.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, i ka cilësuar sulmet e ditës së sotme “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga terroristët.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, mirëpo zëdhënësi i talibanëve ka mohuar se militantët e këtij grupi të kenë qenë të përfshirë në këtë sulm.
Raportimet fillestare kanë thënë se sulmi ka pasur cak Agjencinë e lajmeve “Zëri Afgan” në perëndim të kryeqytetit afgan, Kabul.
Mirëpo zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi, ka thënë më vonë se shpërthimi kishte cak një qendër kulturore shiite.
Rahimi ka thënë se kanë qenë edhe dy shpërthime të tjera në rrugë, jashtë ndërtesës, ku ishin mbledhur njerëzit për t’iu ndihmuar të lënduarve të shpërthimit të parë. Mirëpo, sipas tij, askush nuk ka vdekur nga shpërthimet në rrugë.
