Maqedoni

Ministri i Shëndetësisë, Filipçe, paralajmëron reforma në shëndetësi

28.12.2017 14:42

Ministri i ri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi ndryshime ligjore me qëllim që të furnizohet në kohë...

Ministri i ri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi ndryshime ligjore me qëllim që të furnizohet në kohë me medikamentet e nevojshme për pacientët, përfshirë dhe insulinën. Sipas tij, për momentin nuk ka krizë për insulinë, pasi ka sasi të mjaftueshme për pacientët.
 
Ai paralajmëroi edhe intervenim në sistemin elektronik që ai të përfshijë të gjitha institucionet dhe të lehtësojë punën e personelit mjekësor.
 
“Dëshirojmë të përmirësohet rregullativa ligjore dhe tenderët për furnizim me barna të shpallen në periudhën më të gjatë, jo për një vit, në mënyrë që asnjëherë të mos përsëritet një krizë e tillë. Për momentin nuk ka krizë për insulinë duke i falënderuar donacionet e një firme prodhuese dhe unë iu siguroj ju që do bëjmë gjithçka që kriza të tilla të mos përsëriten”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Ministri i Shëndetësisë po ashtu theksoi nevojën e ndryshimit të Ligjit për eksportin paralel të barërave, ku duhet të ketë certifikatë për cilësi në mënyrë që të shihet se ku janë përdorur këto barëra. Reformat përfshijnë edhe zvogëlimin e harxhimeve të panevojshme, duke bashkuar të gjitha qendrat klinike të Shkupit në një qendër të përbashkët.
 
“Mendohet që tridhjetë klinikat në Shkup të bashkohen në një qendër klinike që të mos jepen paga dhe honorare për dhjetëra drejtorë dhe anëtarë të këshillave drejtues dhe e njëjta ide vlen edhe për kapacitetet që kanë qytetet tjera”,- theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Përskaj rritjes së pagave në shëndetësi prej 5% nga mesi i dytë i vitit të ardhshëm, ministri i ri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi edhe rritjen e kompensimit për kujdestari në ditë pune nga 2500 në 3000 denarë, ndërsa gjatë vikendit në 4000 denarë.
 
FLUTURA LATIFI