Maqedoni
Rasti “Mitmarrja”, Gjykata e Apelit kthen lëndën në procedurë të sërishme
28.12.2017 15:32
Gjykata e Apelit, duke vepruar mbi ankesën e mbrojtjes, ka anuluar vendimin e shkallës së parë për rastin “Mitmarrja”...

Gjykata e Apelit, duke vepruar mbi ankesën e mbrojtjes, ka anuluar vendimin e shkallës së parë për rastin “Mitmarrja”, ku i akuzuar është kryeministri aktual, Zoran Zaev, dhe ka kthyer lëndën në procedurë të sërishme.
Sipas Apelit, Gjykata Penale në mënyrë joligjore ka vendosur për masat e veçanta hetuese në këtë rast.
“Gjatë procedurës dhe vendimit për propozimin e mbrojtjes për ndarjen e dëshmive të siguruara përmes masave të veçanta hetuese, gjatë shqyrtimit kryesor Gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kundërshtim me procedurën e paraparë ligjore ku sipas propozimit të mbrojtjes për të cilin nuk ka ekzistuar pajtueshmëri nga palët dhe në vend që vendimi të merret nga Këshilli Gjyqësor i cili ka qenë në mbledhje, vendimi në mënyrë plotësuese është miratuar jashtë seancës për shqyrtim kryesor nga kryetari i Këshillit, me çka në rastin konkret ka dalë nga autorizimet ligjore”,- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Përmes ankesës në Gjykatën e Apelit, mbrojtja kërkoi që video-incizimet nga masat e veçanta të hetimit për rastin kundër tij “Mitmarrja” të mos shfrytëzohen si dëshmi në këtë proces.
Avokatët disa herë kishin reaguar për shkak të pamundësisë të kenë në dispozicion incizimin e plotë të videos së publikuar dhe urdhrin për kryerjen e së njëjtës. Në ankesën e mbrojtjes thuhej se me publikimin e këtij incizimi është thyer e drejta e privatësisë dhe e gjykimit të drejtë.
Në seancën e fundit publike mbrojta theksoi se biznesmeni prej të cilit thuhet se Zaev ka kërkuar mito në fakt ka qenë “agjent provokator” dhe kështu sipas tyre ky rast është i montuar.
Në rastin “Mitmarrja”, kryeministri Zaev si kryetari i komunës së Strumicës akuzohet se ka kërkuar 160 mijë euro nga biznesmeni i kësaj komune për blerje të tokës ndërtimore.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
