Komisioni për Sistem Politik, debat mbi Ligjin për amnisti të të burgosurve

28.12.2017 15:42

Komisioni për Sistem Politik ka filluar debatin e hapur lidhur me Ligjin për amnisti të të burgosurve....

Komisioni për Sistem Politik ka filluar debatin e hapur lidhur me Ligjin për amnisti të të burgosurve, njofton “TVM2”.

Ministri i Drejtësisë me këtë rast ftoi të gjithë faktorët relevantë të japin sugjerime dhe propozime për përgatitjen e një teksti ligjor, të cilin, sipas tij, më shumë mendime do ta bënin më cilësor.

“Ju ftoj që të gjitha sugjerimet të cilat janë në interes të përmirësimit të kualitet të propozim ligjit, jo vetëm në këtë seancë, edhe në mënyra tjera t’i kontribuojmë komisionit, që nëse janë të pranueshme edhe eventualisht të implementohen, të jenë pjesë përbërëse e ligjit”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Bilen Salii.

Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, kërkoi që përveç Ligjit për amnisti, Ministria e Drejtësisë të sjellë rregullore për implementimin e tij.

“Nuk mund të miratohet Ligji për amnisti nëse nuk miratohet rregullore se si të implementohet. Ka dispozitë se vetëm gjykata mund t’i sjellë vendimet.  Si institucion, insistojmë pjesa e procedurës për implementimin e Ligjit të precizohet në detaje dhe të ndahet në procedurë administrative dhe procedurë gjyqësore”,- tha avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Deputetët kërkuan që gamës së amnistisë t’u shtohen edhe personat që kanë vendim gjyqësor por që ende janë në procedurë të ankimimit.

“Të përfshihen edhe personat për të cilët ka vendime gjyqësore, por nuk janë të plotfuqishme. Kemi persona për të cilët shkalla e parë ka kaluar mirëpo janë në procedura të ankimimin. Nëse janë në procedurat e animimit, parashtrohet pyetja a janë pjesë e amnistisë?!”,- theksoi Fadil Zendeli nga Lëvizjes Besa.

Kërkesë e organizatave joqeveritare është që Ligji për amnisti të përfshijë edhe personat e dënuar me burg të përjetshëm, për të cilët kërkuan të dënohen me vite me numër më të madh.

“Duhet të shkohet me dënim me burg prej 20-25 vjet, apo siç do të vendoset, mundet edhe 30, pra të jetë e caktuar me numër vitesh”,- u shpreh Meri Nikollova nga një OJQ.                                                                                  

Ligji për amnisti në formën e propozuar parashihet të falë rreth 700 të burgosur të dënuar deri më 6 muaj burg dhe 3097 të burgosur të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit për 30%. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)