Kulturë
10 vjet ITShKShM, 20 vepra shkencore të botuara vetëm në 2017-n
28.12.2017 15:56
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë sot promovoi veprimtarinë botuese dhe hulumtuese...

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë sot promovoi veprimtarinë botuese dhe hulumtuese shkencore për vitin 2017 dhe shënoi 10 vjetorin e themelimit.
Drejtori i ITShKShM-së, dr. Skender Asani, tha se gjatë këtyre 10 viteve instituti ka organizuar me dhjetëra konferenca shkencore dhe ka botuar dhjetëra tituj, duke e promovuar trashëgiminë tonë të pasur kulturore në qendra të rëndësishme europiane dhe botërore, theksoi Asani.
Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2017 janë botuar dhe janë në proces botimi nga ky institut mbi 20 vepra shkencore.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha me këtë rast se puna dhjetëvjeçare e këtij instituti ka dëshmuar që me vullnet, dije dhe seriozitet mund të ecet përpara edhe më fuqishëm drejt realizimit të përcaktimeve programore.
Manifestimin e përshëndeti edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, ndërsa u lexuan telegrame urimi nga drejtori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, akademik Marenglen Verli, dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi.
Në këtë dhjetëvjetor u nda mirënjohje për një bashkëpunëtor të vjetër të institutit, i cili vitin e kaluar u pensionua, prof. dr. Avzi Mustafën.
