Drejtoria e Policisë Financiare, kallëzim penal për ish-ministren e Kulturës
Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur padi penale kundër ish-ministres së Kulturës, Elizabeta Kançeska...

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur padi penale kundër ish-ministres së Kulturës, Elizabeta Kançeska - Milevska, zëvendësit të saj, Dragan Nedellkoviq, dhe kundër personit me iniciale Gj. T. - këshilltar shtetëror për çështje financiare dhe udhëheqës në sektorin për financa në Ministrinë e Kulturës.
Ata dyshohen për veprën penale "Punë e pandërgjegjshme në shërbim" dhe “shkaktimin e dëmit në buxhet” që arrin shumën prej mbi 2 milion e 770 mijë euro. Siç bën të ditur kjo drejtori, “në periudhën nga korriku i vitit 2009 deri në shkurt të vitit 2017 tre të dyshuarit, duke shmangur mbikëqyrjen e obligueshme në mënyrë të pandërgjegjshme, kanë vepruar në ushtrimin e kompetencave dhe detyrave të tyre, në mënyrë që në kundërshtim me nenin 581, paragrafi 2 nga Ligji për shoqëritë tregtare, që në mënyrë të saktë thekson se kompanitë e huaja nuk mund të ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Maqedonisë derisa nuk organizojnë filiale, kanë pranuar fatura nga subjekti juridik i huaj “Svetllost Teatar ShPK Beograd”, i cili nuk është regjistruar si tatimpagues në Republikën e Maqedonisë”.
Këtu është përfshirë në mënyrë të paligjshme një shumë shtesë e paraqitur si TVSh prej 18 për qind, me ç'rast ministrja dhe zëvendësministri kanë nënshkruar gjashtëdhjetë e katër vendime për përkthim, ndërsa udhëheqësi i sektorit të punëve financiare nënshkroi urdhëresa për pagesë të fondeve në dëm të buxhetit të Republikës së Maqedonisë, me të cilat kanë bërë pagesa jashtë shtetit në bazë të 11 marrëveshjeve për kryerjen e shërbimeve, mallrave dhe punëve. (Gyltene Sinani, TVM2)
