“Megjashi”: Shkelja e të drejtave të fëmijëve mbetet e lartë

28.12.2017 16:57

Fëmijët janë ata të cilët bien më shumë pre e dhunës dhe numri i shkeljes së të drejtave....

Fëmijët janë ata të cilët bien më shumë pre e dhunës dhe numri i shkeljes së të drejtave të tyre çdo ditë vjen duke u rritur, thuhet në raportin e Ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi”, njofton “TVM2”.

Në periudhën 2016-2017 janë regjistruar 124 raste të viktimave potencialë për të cilët është kërkuar ndihmë ose informacione nëpërmjet linjës SOS. Numri më i madh i fëmijëve viktima të mundshme përfshin moshën prej 6 deri 14 vjet, ku janë paraqitur 66 raste. Nga Megjashi thonë së duhet që institucionet t’u kushtojnë më shumë vëmendje këtyre rasteve.

“Për fat të keq, çdo vit rastet përsëriten për shkak të divorcit dhe dhunës familjare. Edhe këtë vit kemi denoncime për fëmijë të cilët janë viktima të abuzimit seksual. Duhet t’u mundësohet vend i sigurt ku do të mund të bisedojnë për problemet e tyre, sepse kjo është e drejta e tyre”,- tha psikologja dhe koordinatorja e linjës SOS, Jana Zengovska.

Gjatë vitit 2017 janë mbajtur vetëm 28 seanca plenare të cilat 5 prej tyre janë dedikuar për fëmijët. Ambasada e fëmijëve “Megjashi” vlerëson se në Kuvend gjatë këtij viti nuk janë përfshirë në masë të mjaftueshme iniciativat që kanë të bëjnë me fëmijët.

“Deputetët duhet t’u kushtojnë më shumë rëndësi në të ardhmen të drejtës së arsimit kualitativ, para së gjithash fëmijët të jenë të kyçur në arsimin e obliguar fillor dhe të mesëm pa keqpërdorimin e mundit të fëmijëve”,-  Dragi Zmijanec nga Ambasada e parë e fëmijëve ne botë “Megjashi”.

Njëherit u theksua nevoja që t’u kushtohet më shumë vëmendje fëmijëve pa dokumente, pasi ata nuk mund të ushtrojnë asnjë të drejtë. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)