Memeti: Policia dhe gjykata nuk respektuan imunitetin e deputetëve të VMRO-së

28.12.2017 17:34

Policia dhe gjykata kanë cenuar të drejtën e imunitetit dhe është shkelur parimi i prezumimit...

Policia dhe gjykata kanë cenuar të drejtën e imunitetit dhe është shkelur parimi i prezumimit të pafajësisë të tre deputetëve gjatë arrestimit për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, thotë avokati i popullit, Ixhet Memeti, njofton “TVM2”.

Ai në brifingun me gazetarë tha se pas veprimit të kërkesës së VMRO-DPMNE-së për këtë rast ka konstatuar se dy gjykatësit, Vesna Dimitrievska dhe Nenad Savevski, edhe pse e kanë ditur se deputetët e dyshuar gëzojnë imunitet dhe nuk mund të arrestohen për t’i sjellë në gjykatë, ata kanë lëshuar urdhër arrest, ndërsa të njëjtin urdhër policia e ka realizuar edhe pse është në kundërshtim me rregulloren për veprim të policisë dhe arrestim në rast të këtilla.

Sipas Memetit, gjykatësit paraprakisht është dashur të dorëzojnë kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe më pas të mund të arrestohen. Derisa kjo nuk është bërë, është dashur ata të ftohen për t’u marrë në pyetje, thotë Memeti.

“Për Avokatin e Popullin është i pamohueshëm konstatimi se në rastin konkret është vepruar në kundërshtim me nenin 19 të rregullores, sipas së cilës: nëse personi që arrestohet thirret në statusin i cili i jep imunitet, nëpunësi policor pas verifikimit të autenticitetit të dokumenteve, me të cilat dëshmohet statusi i tillë, do ta ndërpresë arrestimin dhe për këtë do ta njoftojë menjëherë eprorin nëpunës të drejtpërdrejtë policor”,- thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Memeti tashmë kërkon nga ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, sanksione disiplinore për ata që kanë bërë lëshimet e tilla gjatë arrestimit të deputetëve, ndërsa nga autoritet gjyqësore kërkon rishqyrtim dhe hetim të motiveve të gjykatësve përse nuk e kanë marrë në pyetje imunitetin e deputetëve në atë kohë. (Rexhep Qamili, TVM2)