Pyetje deputetësh, Zaev shpreh keqardhje për largimin e ASh-së

28.12.2017 19:03

Kryeministri, Zoran Zaev, mbetet në qëndrimin se nuk ka bërë rekonstruim të qeverisë....

Kryeministri, Zoran Zaev, mbetet në qëndrimin se nuk ka bërë rekonstruim të qeverisë, por vetëm plotësim të vendeve boshe, njofton “TVM2”.

Ai shprehu keqardhje që ASh nuk e ka pranuar postin e zëvendëskryeministrit për zbatimin e reformave, edhe pse gjatë hartimit të programit qeveritar janë pajtuar 100% për përcaktimet programore siç është sundimi i ligjit, zbatimi reformave, zhvillimi i barabartë rajonal dhe koncepti “një shoqëri për të gjithë”. Kështu iu përgjigj Zaev deputetit të ASh-së, Surija Rashidi, në seancën për pyetje deputetësh.  

“Z. Zaev a bëtë riformatim apo plotësim të vendeve të zbrazëta? Dhe, ku sipas jush është dallimi i këtyre dy nocioneve?”,- tha deputeti i ASh-së, Sureja Rushidi.

“Në të vërtetë më vjen keq që nuk u pranua ai post dhe në fakt ligji parasheh se çfarë është rekonstruksion dhe çfarë është plotësim i vendeve të zbrazëta. Si mandatar, harxhova më shumë se një muaj e gjysmë duke u përpjekur që të gjej zgjidhje që ky koalicion të vazhdojë. Këtë e them që t’u përgjigjem se në fakt plotësova vendet e zbrazëta. Besoj se përmes debatit të frytshëm asnjëherë nuk do t’i mbyllim dyert e bashkëpunimit”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

ZAEV: S’DO TË KETË DREJTËSI SELEKTIVE

Sa i përket bashkëqeverisjes me BDI-në, të cilën paraprakisht e kishte akuzuar si bashkëfajtore në qeverisje me VMRO-DPMNE-në, Zaev tha se drejtësia do t’i mbërrijë të gjithë që kanë qenë në konflikt me ligjin, pa marrë parasysh përkatësinë politike.

“Prokurori publik do të tregojë nëse ka dyshime të bazuara ose jo për hapjen e procedurave të mundshme gjyqësore për këdo qoftë që ka shkelë ligjin. Po e përsëris, qoftë nga LSDM, ose nga BDI, nga Aleanca për Shqiptarët, VMRO-DPMNE apo Besa, apo nga cilado qoftë parti, ligji duhet të vlejë njëjtë për të gjithë. Nuk do të ketë asnjë D nga drejtësia apo R nga reformat nëse përpiqemi  që ta mbrojmë dikë para drejtësisë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Në seancën për pyetje deputetësh, deputetët e Lëvizjes BESA kërkuan llogari nga ekzekutivi për ngecjen në ndërtimin e autostradës Shkup - Bllacë dhe ndërtimin e konviktit studentor pranë UT-së. Sipas qeverisë, këto dy projekte kanë ngecur për shkak të dokumentacionit të pakompletuar dhe mungesës së lejeve të nevojshme.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE. (Shpëtim Nuredini, TVM2)