Moskë, hetime ndaj Navanyt pas thirrjes së protestave
Politikani opozitar rus, Ilya Yashin, është ndaluar në Moskë....

Politikani opozitar rus, Ilya Yashin, është ndaluar në Moskë, disa ditë pas një demonstrate, për të cilën autoritetet kanë thënë se është mbajtur pa leje paraprake.
Yashin ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se pesë zyrtarë policorë e kanë ndaluar atë afër shtëpisë së tij duke e dërguar në stacionin policor.
Yashin, që njëherësh është edhe udhëheqës i distriktit komunal, Krasnoselsky, të Moskës, pati drejtuar atë që është quajtur festivali “Dita e lirë e zgjedhjeve” në parkun Lermontov, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Qytetit në Moskë për të ndaluar këtë organizim.
Rreth 2,000 persona kanë qenë pjesë e organizimit, duke kërkuar që zgjedhjet presidenciale të 18 marsit të jenë të lira, të drejta dhe garuese. Autoritetet në Moskë dhe policia lokale e kanë konsideruar këtë organizim si joligjor.
Mbështetësit e aktivistit kundër korrupsionit dhe politikanit opozitar, Aleksei Navalny, po ashtu kanë organizuar marshe në 20 qytete ruse, duke përfshirë Moskën më 24 dhjetor.
Navaly ka organizuar fushatë presidenciale gjatë tërë vitit, ndonëse zyrtarët zgjedhorë kanë vendosur në muajin qershor se ai nuk ka të drejtë për të qenë pjesë e garës pas një dënimi për krim financiar.
Kremlini ka thënë se autoritetet do të hetojnë nëse lideri opozitar, Aleksei Navalny, është duke shkelur ligjin duke bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Pekov, u ka thënë gazetarëve se ai “nuk ka dyshim” se thirrjet e Navalnyt për protesta do të hetohen nga autoritetet për të kuptuar nëse ato janë joligjore.
Videoja e Navalnyt në YouTube, përmes së cilës bën thirrje për protesta, nuk ka qenë e qasshme në Rusi në mëngjesin e sotëm. Fushata presidenciale në Rusi ka nisur zyrtarisht më 18 dhjetor. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka njoftuar se do të kandidojë edhe për një tjetër mandat.
