GRUEVSKI FLET PËR PROTESTAT

Gruevski: Nuk do të lejojmë eskalim të situates

07.07.2014 15:50

Si Shtet, nuk do të lejojmë që protestat të kulminojnë dhe të rrezikojnë interesat e qytetarëve dhe institucioneve……

Si Shtet, nuk do të lejojmë që protestat të kulminojnë dhe të rrezikojnë interesat e qytetarëve dhe institucioneve.

Kështu është shprehur kryeministri, Nikolla Gruevski, duke komentuar zhvillimin e protestave në disa qytete të Maqedonisë, ku kërkohet lirimi i 6 të burgosurve me burg të përjetshëm në rastin “Monstra”.

“Protesta ku përdoret dhuna, në asnjë Shtet askush nuk i mbështet, e as Shteti jonë. Në këtë drejtim dua të them se MPB-ja profesionalisht e ka kryer punën në ditët e kaluar dhe ne si Shtet nuk do të lejojmë që këto protesta të kulminojnë në atë masë që të rrezikojnë interesat e qytetarëve dhe institucioneve”, deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.

Kryeministri Gruevski, tha se individë dhe grupe të ndryshme, nëpërmjet dhunës realizojnë agjenda të ndryshme, duke shtuar se institucionet kanë kapacitet të ballafaqohen me të njëjtët.

“Ekzistojnë disa organizata, individë të cilët në ditët e kaluar janë munduar që t’i hedhin vaj zjarrit për ndonjë agjendë të tyre, që sigurisht nuk është agjendë shtetërore. Njerëzit e tillë që e bëjnë një gjë të tillë, sigurisht nuk e bëjnë as për maqedonasit, as për interesat e shqiptarëve, e as për interesat e romëve, boshnjakëve, serbëve dhe turqve, si dhe të gjithë atyre që jetojnë në Maqedoni, por as për interes të kristianëve apo të  myslimanëve. Ata njerëz realizojnë agjendën e tyre ose të ndonjë pale tjetër. Sidoqoftë, ne si institucione, si Shtet, kemi kapacitet të ballafaqohemi me këto situata, si edhe me tjera edhe më të padëshiruara dhe do të ballafaqohemi”, theksoi Gruevski.

I pyetur se për këtë situatë a është në komunikim me partnerët e koalicionit qeveritarë, ai u shpreh se “ne jemi Qeveri me parti në koalicion dhe jemi në kontakt në kuadër të Qeverisë”. (Afrim Tanallari, TVM2)