Maqedoni
Bashkëpunimi mes ShGM-së dhe MPB-së, gazetarë të sigurtë - garanci për media të lira
29.12.2017 14:43
Ministria e Brendshme dhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë u angazhuan për të krijuar ambient të sigurt për punën e gazetarëve...

MPB dhe ShGM nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit, përmes të cilit u angazhuan për krijimin e një protokolli për paralajmërim të ngjarjeve me rrezik të lartë, komunikim të rregullt mes MPB-së dhe ShGM–së dhe trajnimet e ndryshme.
Gazetarët janë shtyllë e shtetit demokratik dhe duhet të kenë kushte për të realizuar misionin e tyre, ndërsa MPB do të bëjë gjithçka që të sigurojë këtë të drejtë të tyre, tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
“U dakorduam për bashkëpunim dhe pjesëmarrje në trajnime dhe fushata të përbashkëta për ngritjen e vetëdijes së nëpunësve të MPB-së në ruajtjen e sigurisë së qytetarit dhe gazetarit, ndërkaq gazetarët në mënyrë të sigurt dhe të lirë të kryejnë punën e vet”,- deklaroi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
Nuk mund të imagjinohet liria e mediave nëse gazetarët nuk ndjehen të sigurt në punën e tyre.
Së bashku do t’i japim fund politikës së mosndëshkimit të dhunës ndaj gazetarëve, tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
“Në të ardhmen është paraparë që të organizojmë trajnime midis gazetarëve dhe pjesëtarëve të policisë me qëllim që në një mënyrë të kuptohet roli i mediave në shoqëri, sepse jemi të bindur se keqkuptimet që lindin në komunikimin mes policisë dhe gazetarëve në fakt janë për shkak të mosnjohjes së misionit të mediave dhe gazetarëve dhe në këtë mënyrë do të shtojmë besimin mes nesh dhe do të minimizojmë problemet e mundshme që mund të ndodhin mes nesh”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
“Gjatë periudhës së kaluar janë regjistruar 55 sulme ndaj gazetarëve, prej të cilave dhjetë raste janë proceduar në prokurori, ndërkaq shpresojmë të zbardhen të gjitha rastet”,- tha mes tjerash kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
