Maqedoni

Qytetarët pak e shfrytëzuan transportin falas. Shilegov: në rast ndotjeje, kthehen masat

29.12.2017 15:06

As masa e Qytetit të Shkupit për shfrytëzimin e transportit falas mesa duket nuk i detyroi qytetarët t’i lënë automjetet...

As masa e Qytetit të Shkupit për shfrytëzimin e transportit falas  mesa duket nuk i detyroi qytetarët t’i lënë automjetet dhe të përdorin transportin publik.
 
Vetë qytetarët thonë se dje gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase nuk është vërejtur fluks i madh i qytetarëve në autobusë.
 
“T’u them të drejtën unë dje nuk vërejta një fluks të shtuar të qytetarëve që shfrytëzonin masën për transport falas”,- tha një qytetar. 
 
“Sinqerisht prej asaj që pash nuk mendoj se qytetarët e shfrytëzuan këtë masë, ashtu siç u paramendua nga Qyteti i Shkupit. Plot vetura kishte dje në komunikacion”,- theksoi një qytetar.  
 
“Unë jo, dje nuk e shfrytëzova transportin falas, por thonë se kanë qenë pa pagesë autobusët”,- tha një qytetar. 
 
Qyteti i Shkupit ende nuk ka informacione se sa është shfrytëzuar dje transporti falas publik, i cili duhej të ndikonte në uljen e ndotjes së ajrit.
 
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Shilegov, pavarësisht kësaj paralajmëron se sërish do të ndërmerren masa të tilla në rast të ndotjes së madhe të ajrit.
 
“Nuk kam ende të dhëna se sa është shfrytëzuar transporti falas,  sepse dje u ndërpre kjo masë, e sot është  regjimi i rregullt i transportit, por pavarësisht nga kjo, çdoherë do të qëndrojmë për të ndërmarrë përsëri masa të këtilla që në vazhdimësi të luftojmë kundër ndotjes së ajrit në vend”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Ndryshimet e motit dhe erërat e fuqishme ndikuan në pastrimin e ajrit dhe u ndërpre masa e qeverisë për parandalimin e ndotjes.  
 
REXHEP QAMILI