Kryqi i Kuq dhe Qyteti i Shkupit i gëzuan të pastrehët për festa, ndanë pako me veshje

29.12.2017 16:21

Si çdo vit, edhe këtë vit punkti i të pastrehëve në “Mumin Potok” përgatitet për festat e fundvitit....

Si çdo vit, edhe këtë vit punkti i të pastrehëve në “Mumin Potok” përgatitet për festat e fundvitit, njofton “TVM2”.

Qyteti i Shkupit dhe Kryqi i Kuq, përveç se ndanë pako me veshje të ngrohta për 80 të pastrehët e rregullt dhe 100 të tjerët që vijnë kohë pas kohe, ata premtuan edhe organizimin e një atmosfere të ngrohtë festive për të pastrehët në këtë pikë. Për vitin 2018 pritet të realizohet projekti për ndërtimin e një  tryeze, ku do të punohet individualisht dhe në grupe për mbështetje psiko-sociale me qëllim që këta persona të risocializohen dhe t’i kthehen jetës normale.

“Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit, gjatë ditës dhe gjatë festave të Vitit të Ri do ta ndjekë situatën me personat e pastrehë dhe do të bëjë distribuim shtesë të thasëve dhe gjithë atë që u nevojitet. Punkti i të pastrehëve punon 24 orë në ditë, do të punojë edhe natën e Vitit të Ri, ku do të kujdesemi të krijojmë një atmosferë të ngrohtë edhe këtu në punkt. Gjithashtu do të punojmë edhe për  festat e Krishtlindjes, me çka do të kujdesemi si një familje ta festojmë edhe këtë festë”,- deklaroi sekretarja e Kryqi i Kuq të Shkupit, Suzana Tunova – Paunovska.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, tha se prioritet ka krijimin e politikave që do t’u mundësojnë këtyre njerëzve jetë të pavarur dhe të kyçen në tregun e punës. Ai premtoi mbështetje më të madhe për vitin që presim në prag.

"Në buxhet për vitin e ardhshëm parashikojmë edhe më shumë mjete me qëllim që si qytet i solidaritetit ta kthejmë pjesën humane nga jetesa në qytet. Këta njerëzit tanë janë momentalisht në gjendje të rëndë dhe është njerëzore të ndihmojmë para së gjithash si njerëz, por edhe si institucione",- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Qyteti i Shkupit gjatë vitit 2018 ka ndarë më shumë mjete për këtë punkt për dallim nga vitet e kaluara. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)