Përmbaruesit nuk do të mund t’i bllokojnë llogaritë e shfrytëzuesve të ndihmës sociale

29.12.2017 16:58

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë nënshkruan memorandum....

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Oda e Përmbaruesve të Maqedonisë nënshkruan memorandum me të cilën përmbaruesit obligohen që të mos t’i bllokojnë llogaritë e personave të cilët marrin ndihmë sociale.

“Nënshkrimi i memorandumit me Odën e Përmbaruesve është me qëllimin që t'i mbrojmë të drejtat e personave që janë me rrezik social me atë që do të pengojmë bllokimin e llogarive të tyre",- deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.

Sipas saj, me këtë memorandum dhe me vendosjen e lidhjes direkte  midis Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe softuerëve së bashku me Odën e Përmbaruesve, do të tejkalohet problemi me bllokimin e faturave të përdoruesve të ndihmës sociale dhe këta qytetarë nuk do të dëmtohen në asnjë moment.

“Në vitet e kaluara jo vetëm që kishim bllokim, por edhe për zhbllokimin e llogarive qytetarët obligoheshin të paguajnë. Tani këtë e tejkaluam dhe qytetarët u liruan nga harxhimet, por do të tejkalohen edhe problemet me të cilat përballen përmbaruesit, dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale lirohet nga ngarkesa që paratë e destinuara për qytetarët të shpenzohen për harxhime administrative”,- deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovka.

Ndërkohë, kryetari i Odës së Përmbaruesve, Zoran Dimov, tha se përmbaruesi ka të drejtë në mënyrë elektronike të kërkojë të dhënat për persona që kanë borxhe në evidencat e administratës shtetërore.

“Përmbaruesit do të munden tani në mënyrë elektronike të kontrollojnë se a është personi pranues i ndihmës sociale përmes regjistrit të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, që t’u iket nevojës për dëshmi të shkruara për marrjen e këtyre mjeteve”,- tha kryetari i Odës së Përmbaruesve, Zoran Dimov.

Nënshkruesit e memorandumit obligohen që të sigurojnë sistem për mbrojtjen e të dhënave nga shfrytëzimi i paautorizuar dhe keqpërdorimi. (Flutura Latifi, TVM2)