Tërheqja e ASh-së nga Qeveria, Zaev nuk përjashton kyçjen e PDSh-së
Vendet e zbrazëta të zëvendësministrave dhe zyrtarëve tjerë të ASh-së....

Vendet e zbrazëta të zëvendësministrave dhe zyrtarëve tjerë të ASh-së, të cilët ditë më parë dhanë dorëheqje nga qeveria, do të plotësohen pas Vitit të Ri, njoftoi kryeministri, Zoran Zaev.
Ai tha se pozicioni i ofruar për ASh-në ishte i një rëndësie të veçantë dhe mundësi për ta ngjitur më lartë rejtingun e kësaj partie të re dhe shtoi se po e ruan akoma këtë vend për ASh-në.
“Aleanca për Shqiptarët është parti e re, ne vërtet i dhamë një vend të rëndësishëm. Nënkryetari i Qeverisë për reforma do të thotë ta koordinojë madje edhe Zaevin, ta koordinojë edhe ministrin e drejtësisë, ministrin e punëve të brendshme, ministrin për çështje europiane dhe ministritë e tjera adekuate. Suksesi i reformave të një partie të vogël do t’ia japë një vend më lartë në pozicionimin e saj”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev theksoi se nuk ka negociuar me PDSh-në dhe se për takimin e fundit me liderin e partisë, Menduh Thaçin, opinioni ishte i informuar, por nuk e përjashtoi mundësinë që të bisedohet pas Vitit të Ri.
“Nuk kam biseduar. Takimi i fundit me Menduh Thaçin ishte publik kur ftova për reforma. Ndoshta do të ketë bisedime pas Vitit të Ri. Ne në vazhdimësi po bisedojmë. Ju patë edhe takimin me kreun e ri të VMRO-DPMNE-së. Nuk do të jem i sinqertë nëse nuk them se dëshiroj në vend të 61 të kem 65 deputetë, që do të thotë edhe shumicë më stabile parlamentare. Unë do të vazhdoj të bisedoj edhe me parti më të vogla politike dhe përgjegjësinë e këtyre dikastereve duhet ta sistemoj”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Pas daljes së ASh-së nga qeveria, një pjesë e vendeve të zbrazëta do t’u jepen partive tjera, tha Zaev. Ai shpreson se deri më 15 janar do të plotësohen të gjitha vendet e zbrazëta të cilat janë nën kompetencë të Qeverisë. (Naim Ramadani, TVM2)
