KUVENDI I MAQEDONISË

Protestat: Përplasen partitë shqiptare në kuvend

07.07.2014 16:28

Protestat kundër vendimit për rastin “Monstra” kanë ngjallur sot debat edhe mes deputetëve shqiptarë në Kuvend………

Protestat kundër vendimit për rastin “Monstra” kanë ngjallur sot debat edhe mes deputetëve shqiptarë në Kuvend. Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, ka akuzuar BDI-në për ndodhitë e fundit dhe ka deklaruar se protestat e shqiptarëve janë të drejta.

“Për shkak të Gjykatave jo të pavarura, të politizuara, të korruptuara, për shkak të pjesës tjetër të drejtësisë, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Drejtësisë që në dy mandate udhëhiqet me dy ministra të ndryshëm të BDI-së, ekziston një valë pakënaqësie te shqiptarët, zemërim, sepse drejtësia, me të cilën udhëheq BDI, lëndon dhe vret shpirtra njerëzish të zhgënjyer, që në dyert e Gjykatave presin jo për t’u gjykuar, por për ta mallkuar ata vetë drejtësinë e pështirë që u shërben”, deklaroi deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Akuzave të Fazliut u është kundërpërgjigjur deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, e cila ka deklaruar se përgjegjësia u takon të gjithë faktorëve që duhet të zbatojnë e reformat në gjyqësor. Ajo potencoi se qarqe të caktuara kanë tendencë që të përfitojnë nga situata e krijuar.

“Unë si deputete, i lejoj vetës të jem autokritike. Nuk kemi bërë mjaftueshëm në realizimin e reformave në gjyqësor, duhet të punojmë akoma më shumë për të ndryshuar ato mentalitete të cilat nxisin me ose pa vetëdije, kontribuojnë që një vendim i Gjykatës, i cili duhej apeluar, të shndërrohet në arsye për përplasje etnike, akoma më keq, për përplasje mes shqiptarëve dhe policisë. Duket se ka tendenca nga ndonjë individ apo grupe, për ta uzurpuar, grabitur hapësirën e krijuar për ndonjë agjendë, që nuk them se është politike”, theksoi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Deputetja Mehmeti, megjithatë nënvizoi se të gjithë faktorët duhet bashkërisht të punojnë për të bërë korrigjimet e duhura, të cilat do të na orientojnë në rrugën e BE-së. (Mefail Ismaili, TVM2)