PROTESTAT NË SHKUP, REAGON KOSOVA

Reagon Kosova, shmangni dhunën, respektoni MO-në

07.07.2014 16:33

Hashim Thaçi, përmes një deklarate me shkrim, ka kërkuar dialog mes palëve në Maqedoni për tejkalimin e problemeve pas vendimit për dënimin e 6 shqiptarëve me burgim të përjetshëm………..

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një deklarate me shkrim, ka kërkuar dialog mes palëve në Maqedoni për tejkalimin e problemeve pas vendimit për dënimin e 6 shqiptarëve me burgim të përjetshëm.

Në deklaratë thuhet se: “Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni, si rrjedhojë e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe protestave qytetare që pasuan si reagim ndaj aktgjykimeve. Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, rithekson se dialogu politik ndërmjet komuniteteve dhe zbatimi në përpikëri i Marrëveshjes së Ohrit, është rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura midis komuniteteve në Maqedoni. Respektimi i të drejtave fondamentale kushtetuese dhe institucionale, është mënyra e vetme për të evituar eskalimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin. Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe thërret të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë, që të përmbahen nga dhuna, si mjet i zgjidhjes së çështjeve politike. Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vetzgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët e kanë për obligim që t'i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare. Qeveria e Republikës së Kosovës edhe një herë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, për maturi dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut të ndërsjellë”. (Merita Gashi, TVM2)