Maqedoni
Kasami: Viti 2017 vit i dështimeve në planin e reformave
30.12.2017 18:25
Kryetari i lëvizjes BESA Bilall Kasami e ka vlerësuar si vit të dështimeve politike vitin që lëm pas....

Kryetari i lëvizjes BESA Bilall Kasami e ka vlerësuar si vit të dështimeve politike vitin që lëm pas, sidomos në planin e reformave të shumë premtuara nga ana e Qeverisë, dhe dështimin e saj në rrugën për euro integrimet.
Kasami poashtu ka paralajmëruar thirrjen e një takimi mes krerëve të partive nënshkruese të deklaratës së përbashkët politike, me qëllim që të jepet llogari çka është bërë dhe çka jo, ndërsa nga BDI, Kasami tha që do kërkoj llogari përse nuk janë realizuar pikat kyce të kësaj marrëveshjeje.
"Sot mund të konstatojmë se në vitin që po lëmë pas mbetën shumë punë pa u bërë. Mesazhi më i qartë i epilogut të zgjedhjeve lokale dëshmon një gjendje reale të re, pra shqiptarët sot në qeveri janë të përfaqësuar nga partia e cila është humbëse dhe që nuk ka shumicën e votave të shqiptarëve në Maqedoni... Shkaku i këtij realiteti të ri politik, lëvizja BESA do iniciojë edhe një takim të partive nënshkruese të deklaratës së përbashkët të partive shqiptare ku do duhet të jepet një raport se çka është realizuar nga pikat e asaj deklarate ndërsa BDI të japë llogari për çështjet që kemi pasur zotime të qarta se përse janë prolonguar apo nuk janë diskutuar fare", tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.
