AHMETI-UOLERS

Ahmeti: Dhuna nuk i ndihmon procesit

07.07.2014 17:56

Situata e ditëve të fundit ka qenë tema qendrore e diskutimit në takimin që kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi me ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni, Pol Uolers…..

Situata e ditëve të fundit ka qenë tema qendrore e diskutimit në takimin që kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi me ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni, Pol Uolers.

Ahmeti, pas takimit ka vlerësuar se protestat janë e drejtë legjitime e çdo qytetari për të shprehur pakënaqësitë, por ato nuk duhet të jenë të dhunshme, pasi që nuk e ndihmojnë zhvillimin e mëtejshëm të procesit në rrugët institucionale.

“Bashkërisht vlerësuam që e drejtë e çdo qytetari është të protestojë, e drejtë legjitime është që të gjithë të shfaqin pakënaqësi për procese të caktuara, që këto procese të jenë sa më transparente dhe sa më të besueshme për publikun, opinionin, për të gjithë opinionbërësit. Gjithashtu vlerësuam që dhuna nuk e ndihmon procesin, dhuna nuk e ndihmon zhvillimin e mëtejmë të procesit, nuk ndihmon në zgjidhjen institucionale që ky proces të jetë sa më bindës për Gjykatën e Apelit, me qëllim që ky zhvillim të rikthehet në shkallë të parë”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjithashtu ka informuar ambasadorin e SHBA-ve, Pol Uolers, se BDI do të kërkojë monitorim nga ekspertët ndërkombëtar dhe vendor për rastin “Monstra”.

“Bashkimi Demokratik për Integrim do të kërkojë monitorim nga ekspert ndërkombëtar dhe vendor, me qasje të plotë në të gjithë procesin dhe procedurat që opinioni të jetë në mënyrë më transparente i informuar”, theksoi Ahmeti.

Takimi mes Ahmetit dhe Volersit ka zgjatur rreth 2 orë. (Miftar Emini, TVM2)