Maqedoni

Besimi: Integrimi mbeshtetet nga të gjithë edhe nga opozita

07.07.2014 18:22

Krahas zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës gjatë kryesimit me BE-në, Italia në agjendën prioritare do ta ketë edhe zgjerimin e Unionit...

Krahas zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës gjatë kryesimit me BE-në, Italia në agjendën prioritare do ta ketë edhe zgjerimin e Unionit. Kështu para anëtarëve të Këshillit Euroatlantik në Kuvend tha Ernesto Masiomo Belili, ambasadori i Italisë në Maqedoni,  vendi i të cilit do të kryesojë me Unionin Evropian në gjashtë muajt e ardhshëm. 
 
Ndërkohë edhe ambasadori BE-së në Shkup, Aivo Orav, tha se zgjerimi i BE-së po ndodh dhe kjo u dëshmua edhe me dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, ndërsa sipas tij, Maqedonisë i mbeten t’i bëjë detyrat e shtëpisë. 
 
“Kryesimi me Unionin, do ta lehtësojë rolin e Bashkimit Evropian si pjesë e politikës për zgjerim. Ne do ta nxisim procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimorë”, deklaroi ambasadori i Italisë në Republikën e Maqedonisë, Ernesto Masimo Belili.
 
“Në Shkup ka Parlament të ri, në Strasburg Parlament të ri, besoj se problemet në Kuvend do të tejkalohen. Nuk duhet të jeni të shqetësuar. BE do të vazhdojë me zgjerimin. Ju mbetet që t’i bëni detyrat e shtëpisë”, theksoi ambasadori i BE-së, Aiovo Orav.
 
Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi edhe një herë theksoi se për Qeverinë prioritet akoma mbetet agjenda evropiane.
 
“Integrimi i vendit në BE dhe në NATO, janë një nga pesë prioritetet strategjike të Qeverisë së RM-së. Ky rrugëtim gjithsesi përmban edhe sfidat e veta, por dua të njoftoj se përkushtimi vazhdon të jetë serioz në drejtim të implementimit të reformave dhe ato që ishin të parapara në raport-progresin e Maqedonisë për integrim në BE, të shpallur në tetor të vitit të kaluar dhe konkluzat e KE-së në dhjetor”, potencoi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
 
Italia, për 11 herë me radhë kryeson me Bashkimin Evropian, ndërsa për herë të fundit ka kryesuar në vitin 2003.
 
NAIM RAMADANI