Inkuadrimi i atësisë në edukimin e foshnjës
Sipas Laura Adatit, eksperte për mbrojtjen e amësisë, për të lënë gruan që edhe ajo të jetë pjesë e tregut të punës edhe të realizojë ambiciet e saj, për fëmijën duhet të kujdeset edhe bashkëshorti….

Gratë shtatzëna dhe nënat, të cilat kanë fëmijë deri në tre vjeç, duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë nga Shteti, sepse kjo u garantohet me Konventën e Mbrojtjes së Amësisë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të cilën Maqedonia e ka ratifikuar në vitin 2012, porosisin ekspert të kësaj lëmie.
Sipas Laura Adatit, eksperte për mbrojtjen e amësisë, për të lënë gruan që edhe ajo të jetë pjesë e tregut të punës edhe të realizojë ambiciet e saj, për fëmijën duhet të kujdeset edhe bashkëshorti.
“Në Maqedoni, sipas raportit shihet se ka grupe të ndjeshme, ndaj është vërtetuar se inkuadrimi i atësisë në edukimin e foshnjës është i domosdoshëm dhe sjell mirëqenien te fëmija. Duhet të bëhen më shumë përpjekje që të sigurohet pushim atësor apo ndarja e pushimit në pjesë proporcionale mes nënave dhe baballarëve”, deklaroi nga Organizata Botërore e Punës “Gjenevë”, Laura Adati.
Sipas ministrit të Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Marrëdhënie Pune, amësisë i garantohen mbrojtje shëndetësore, si dhe lehtësime në vendin e punës.
“Vitin e kaluar sollëm një të drejtë të re për nënat pas shfrytëzimit të pushimit të lindjes në kohëzgjatje prej 9 muajsh, mund të vijojnë me pushim shtesë edhe tre muaj të tjera, për shkak të kujdesit të fëmijës i cili duhet të jetë jo më shumë se 3 vjet”, theksoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
Gruaja e porsalindur mund të kthehet në punë pa shfrytëzuar pushimin e lindjes, por jo para 45 ditëve të lindjes së foshnjës. Ajo do të ketë të drejtën e kompensimit të pagës për 50 për qind në pajtueshmëri me rregullat për mbrojtje shëndetësore. Punëtorja ka të drejtë të shfrytëzojë pauzë prej 1 ore e gjysmë për t’i dhënë gji foshnjës deri në 1 vjet e gjysmë. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
