Gjykata Penale në 2018: Nga 1 janari, rishpërndarja e gjykatësve

01.01.2018 11:20

Gjykatësit në Gjykatën Penale prej 1 janarit do të punojnë sipas orarit të ri, që parasheh rishpërndarjen e lëndëve penale nëpër gjykatësit e rinj...

Me këtë orar janë bërë ndryshime drastike sa u përket lëndëve që janë në procedurë, ku një numër i madh i lëndëve të ngritura nga Prokuroria Publike Speciale shkojnë tek gjykatësit e rinj. Edhe këtë vit në orarin e stërngarkuar të Gjykatës Penale do të vazhdojnë rastet e PPS-së, si rasti “Trust”, Treaktorija”, “Transporter”, “Trista”, “Totall”, “Talir” dhe “Fortesa”, “Fortesa 2”, “Dhuna në Qendër”, “Tarifa” “Toplik”, ndërsa duhet të fillojë procedura edhe për rastin “Trezor” dhe rastin “Tenk”.
 
Në Sektorin për krim të organizuar tashmë janë gjykatësit: Ognen Stavrev, Dobrilla Kacarska, Vlladimir Tufegxhiq, Xheneta Bektoviq, Goran Boshevski, Vaska Nikollovska - Masevska, Darko Todorovski, Osman Shabani dhe Sofçe Gavrillova - Efremova.
 
Në listën e gjykatësve të cilët do të gjykojnë në Sektorin penal-për të rritur janë gjykatësit: Sofija Laliçiq, Lenka Davitkova, Elena Ilievska - Josifoviq, Lidija Zimbovska, Ljubinka Basheska, Sllavica Andreevska, Dushan Josifov, Ilija Tërpkov, Gjoko Risto.
 
Gjykatësja në rastin e Kumanovës, Verka Petkovska, gjykatësja në rastin “Dhuna në Qendër”, Tatjana Mihajllovska, dhe ish-kryetari i Gjykatës Penale do të gjykojnë në Sektorin për kundërvajtje në komunikacion.
 
Gjykatësi që gjykoi të akuzuarit për rastin “Monstra” në shkallën e parë, Ivica Stefanovski, tani është gjykatës në sektorin penal-për të mitur. Në këtë sektor bën pjesë edhe gjykatësja, Lirie Elezi Ajrullau. 
 
Këshillat penalë do t’i drejtojnë gjykatësit, Ilija Tërpkov dhe Gordana Spirevska. Gjykatësit të cilët nuk janë të kënaqur me orarin e ri kanë të drejtë për ankesë në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë. Para Vitit të Ri edhe kryetari i Gjykatës Themelore Shkup 2, Ilir Sulejmani, bëri orar të ri, në të cilin nuk ka ndryshime më të mëdha si në Gjykatën Penale.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI