Ndërrimi i motmoteve, bota i uron mirëseardhjen 2018-s
01.01.2018 12:00
Bota është mbuluar me fishekzjarre kur akrepat e orës u puthitën, duke i dhënë kështu lamtumirën 2017 dhe mirëseardhjen vitit të ri 2018...

Në Nju Jork temperaturat ranë në minus 12 gradë, por kjo nuk i pengoi mbi një milion banorë dhe turistë për të pritur madje më shumë se 12 orë për ta festuar së bashku e për t’i pritur minutat e parë të Vitit të Ri në Times Square.
Pritja e Vitit të Ri 2018 në Nju Jork është listuar si viti i dytë më i ftohtë, pas atij të 1917, me temperaturë -17 gradë celsius.
Edhe pse është arritur numri 1 milion njerëz në një vend, moti i ftohtë, sipas zyrtarëve, ka bërë që sivjet të ketë më pak njerëz se vitet e kaluara. Masat e sigurisë ishin jashtëzakonisht të mëdha. Rusia ka festuar më gjatë ndërrimin e viteve, bazuar në ndryshimin e 11 zonave kohore me të cilat përballen qytetet në këtë vend.
Pavarësisht shiut të pandërprerë, fishekzjarrët dhe festimet në ambiente të jashtme e karakterizuan pritjen e Vitit të Ri në Moskë. Presidenti rus, Vladimir Putin, u ka bërë thirrje rusëve “të shprehin fjalët më të mira ndaj njëri-tjetrit, të harrojnë gabimet, ta admirojnë dashurinë dhe të kujdesen e të kenë më shumë vëmendje”.
Mijëra persona ishin mbledhur edhe në Berlin tek Porta e Brandenurgut, ndërsa fishekzjarre kishte edhe në Arc De Triomphe të Parisit, në Francë. Forcat e sigurisë ishin në masë tejet të shtuar në Francë, pas sulmeve terroriste gjatë dy viteve të fundit në këtë shtet. Në Londër festimet kryesore ishin tek Ora Big Ben, tek parlamenti britanik, në qendër të Londrës.
Një nga vendet e para që e ka pritur Vitin e Ri ka qenë Australia dhe vendet e Paqësorit. Vendet që hynë të fundit në vitin 2018 ishin ishujt e vegjël të ShBA-ve, Bakeri dhe Houland, që festuan mesditën e sotme.
Në Samoa dhe Tonga festa ka një tjetër kohëzgjatje. Në Samoa viti i ri u festua 24 orë më herët, ndërsa në Tonga, vetëm 558 milje larg, u festua në orën 11 të 1 janarit dhe kjo është mundësi e mirë që banorët dhe turistët të udhëtojnë nga njëri qytet në tjetrin, në një festim që zgjat 24 orë rresht e të shijojnë dy herë pritjen e Viti të Ri.
MIGENA GORENCA
