RASTI "MONSTRA"

A duhet përfshirja e ndërkombëtarëve në rastin “Monstra”?

08.07.2014 16:32

Vazhdimësia e procedurave gjyqësore për rastin “Monstra”, duhet të monitorohet nga afër nga vëzhguesit ndërkombëtarë……….

Vazhdimësia e procedurave gjyqësore për rastin “Monstra”, duhet të monitorohet nga afër nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Vetëm një monitorim i tillë i paanshëm i procedurave të mëtejshme në Gjykatën e Apelit, do të siguronte të gjithë qytetarët për drejtësinë e vendimeve përfundimtare që duhet të jepen në këtë rast kaq të ndjeshëm.

Vendimi i  Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin me burg të përjetshëm të 6 të akuzuarve, shkaktoi një valë protestash të shqiptarëve, të cilët shohin me dyshim nga institucionet e drejtësisë. Deri tani misionet ndërkombëtare nuk kanë reaguar ndaj vendimit të shqiptuar të Gjykatës për rastin “Monstra”, pasi gjyqësori është sistem i pavarur.

Por, Ambasada e SHBA-ve, delegacioni i Bashkimit Evropian, OSBE dhe misioni i NATO-s në Shkup, reaguan me një thirrje të përbashkët për qetësim të situatës dhe përmbajtje nga dhuna gjatë protestave.

Që në fillim të gjykimit për rastin “Monstra”, BDI në vazhdimësi ka kërkuar përfshirje të ndërkombëtarëve në monitorimin e tërësishëm të procesit, ku ekspertët ndërkombëtarë do të kishin qasje të plotë në të gjithë procesin dhe procedurat, që opinioni të jetë në mënyrën më transparente i informuar.

Familjarët e të burgosurve në rastin “Monstra”, kanë paralajmëruar që rastit do t’i shkojnë deri në fund edhe në Gjykatën e Strasburgut, pasi nuk kanë besim te drejtësia në vend.

Edhe pse tërthorazi OSBE ka qenë e involvuar që në fillim në monitorimin e procesit, një përfshirje e drejtpërdrejtë e vëzhguesve ndërkombëtarë sidomos e misionit të OSBE-së, do të ndihmonte që seicili vendim eventual i gjykatës së apelit të pranohet shumë më lehtë nga pjesa më e madhe e qytetarëve, të cilët për momentin shprehin skepticizëm për Drejtësinë e sistemit të drejtësisë kur bëhet fjalë për shqiptarët. (Besim Abdullai, TVM2)