Maqedoni
Festimet për Vitin e Ri, 31 pacientë në toksikologji vetëm në Shkup, ka të lënduar nga plumbat dhe fishekzjarret
01.01.2018 17:01
31 pacientë të dehur mbrëmë përfunduan në Spitalin e Toksikologjisë dhe në Spitalin e Qytetit në Shkup...

31 pacientë të dehur mbrëmë përfunduan në Spitalin e Toksikologjisë dhe në Spitalin e Qytetit në Shkup, pasi e tepruan duke festuar me alkool.
Gjithsesi edhe teprimi ka qenë me masë, pasi për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit askush prej tyre nuk u ndalua për mjekim shtesë në spital, nuk kishte shumë fëmijë të dehur dhe të gjithë ishin me vetëdije të plotë.
Shumica e pacientëve ishin meshkuj, që duket se nuk dinë ta mbajnë shumë alkoolin gjatë festimeve.
“Pacienti më i ri i cili ka përfunduar në spital është 16 vjeç, ndërsa më i vjetri është në moshën 40 vjeçare. Gjatë mbrëmjes së kaluar në spital përfunduan gjithsej 27 pacientë dhe prej rezultateve të para mund të themi se tek të gjithë ata nuk është konstatuar më shumë se 2 promila alkool”,- deklaroi drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Niko Beqarovski.
Në spital janë paraqitur edhe dy pacientë të lënduar nga plumbat bredhës, mjetet piroteknike, por edhe në aksidente trafiku.
Në repartin e traumatologjisë është pranuar një pacient nga një aksident në Veles. Është lëshuar në mjekim shtëpiak një tjetër pacient i lënduar në një aksident trafiku dhe dy persona të lënduar gjatë një rrahje.
“Mbrëmë për shkak të plumbave bredhës janë lënduar dy persona në pjesën e qafës dhe pas ndihmës së dhënë mjekësore dhe fatit të madh ata nuk pësuan shumë. Janë jashtë rrezikut për jetë dhe janë lëshuar në shtëpi”,- deklaroi drejtori i Spitalit të qytetit “8 shtator”, Jasmin Ciriviri.
“Ndihmë mjekësore mbrëmë u është dhënë gjithsej 98 pacientëve dhe kjo gjë nuk e tejkalon gjendjen normale të intervenimeve në klinikën tonë. Tek katër pacientë është konstatuar niveli i ulët i alkoolit, ndërsa pjesa tjetër e pacientëve ishin kryesisht pacientë të lënduar në përleshje dhe nga mjetet piroteknike”,- u shpreh drejtori i Klinikës “Shën Naumi i Ohrit”, Ivan Spirovski.
Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se të gjithë qytetarët të ardhur nëpër spitale kryesisht kanë qenë me lëndime të lehta dhe pa pasur komplikime të mëdha. Këtë vit ekipet mjekësore për herë të parë pas shumë vitesh nuk kanë intervenuar për konsumimin e drogës.
REXHEP QAMILI
