Maqedoni

Viti i Ri në Tetovë, mëngjesi gjen qytetin plot plehra nga festimet. 90 pacientë në spital dhe tre të lënduar me fishekzjarre

01.01.2018 17:20

Tetovarët kanë festuar ndërrimin e moteve në mënyra të ndryshme...

Një pjesë e tyre pranë familjeve të tyre, pjesa tjetër me shoqëri në restorante dhe sheshin e qytetit. Ajo që ra në sy mëngjesin e parë të këtij viti ishte gjendja e sheshit pas festimeve. Videot amatore në rrjetet sociale tregojnë një pamje për të ardhur keq.
 
Teksa 2017 ishte vit sfide për pushtetin lokal dhe qendror për t’i gjetur një zgjidhje deponive të egra, mëngjesin e një janarit një deponi më vete u krijua në qendër të Tetovës nga mbetjet e fishekzjarrëve të përdorur një natë më parë. Qytetarët shprehen se kjo dukuri është si pasojë e mungesës së kulturës.
 
“Më shumë është i popullit, i njerëzve, më tepër njerëzit i kanë fajet. E shohim se në mëngjes e shohim pastër, por pasdite nuk është në rregull. Populli ynë ende nuk e di se mbeturinat duhet të hidhen aty ku e kanë vendin”,- deklaroi një qytetar. 
 
“Për mirë nuk bëjmë aspak mirë, unë jetoj jashtë dhe jemi mësuar se çdo mbeturinë që bëhet duhet të hidhet në vendin e duhur. Kurse deri sa mungojnë koshat për mbeturina, atëherë nuk ke edhe ku e hedhën edhe populli ka ngelur, edhe shteti”,- tha një qytetar.
 
Mjetet piroteknike nuk lanë pasojë vetëm në qendër të Tetovës. Prej përdorimit pa kujdes të tyre, në spitalin e Tetovës ndihmë kërkuan tre persona kurse katër të tjerë ndihmë kanë kërkuar si pasojë e përdorimit pa kontroll të alkoolit.
 
“Gjatë natës mbrëmë ka pasur rreth 90 pacientë prej të cilëve tre raste kanë qenë me lëndime nga mjetet piroteknike ndërsa kemi pasur edhe tre - katër raste tjera në gjendje të alkoolizuar dy raste kanë përfunduar në Repartin intern, kurse ka pasur edhe dy raste tjera që kanë përfunduar në anestezi për shkak të gjendjes së tyre jo të mirë”,- tha mjeku i Ndihmës së shpejtë, Armend Sejdini.
 
Në gjendje gatishmërie mbrëmë kanë qenë edhe zjarrfikësit dhe sektori i punëve të brendshme i Tetovës, të cilët kujdeseshin që nata e ndërrimeve të motmoteve të kalojë e qetë dhe pa ndonjë incident eventual.
 
VISAR SADIKI