Energjia elektrike, Maqedonia sivjet do të harxhojë me shumë se vjet
Maqedonia gjatë këtij viti do të harxhojë për 2,7 për qind më shumë energji finale se vitin e kaluar....

Maqedonia gjatë këtij viti do të harxhojë për 2,7 për qind më shumë energji finale se vitin e kaluar, parashikon Bilanci energjetik për vitin 2018.
Pjesëmarrje më të madhe në energjinë e harxhuar do të kenë produktet e naftës me 51,5 për qind me ç'rast do të pasojë energjia elektrike me 28, biomasa me 10,5 dhe thëngjilli me 5,3 për qind.
Siç u theksua në seancën e Asociacionit energjetik të Maqedonisë në të cilën u shqyrtua Bilanci energjetik, 39 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë finale do ta absorbojë komunikacioni, 27 për qind industria, 26 për qind amvisëritë, pesë për qind sektori komercial dhe ai shërbyes, dhe një për qind bujqësia. Prodhimtaria e energjisë elektrike parashihet të jetë 5.766 gigavat orë ose për tre për qind më shumë se në vitin 2017.
Nevojat e parapara të energjisë për vitin 2018 janë për dy për qind më të ulëta në raport me vitin 2017. Në krahasim me vitin 2017, rritje më të madhe vërehet tek gazi natyror prej 14 për qind, si rezultat i paralajmërimeve për prodhimin e rritur të "TE-TO".
Në vitin 2018 parashihet produktet e naftës do të marrin pjesë me 39 për qind të konsumit, thëngjillit me 31 për qind, biomasa me tetë, gazi natyror me nëntë, hidroenergjia me katër, ndërsa e erës, ajo gjeotermale, biogazi dhe energjia solare me diçka mbi zeron.
Importi neto i energjisë elektrike, do të marrë pjesë me tetë për qind. Bilanci energjetik është dokument planor indikativ në të cilin paraqiten nevojat e sasive të përgjithshme të energjisë dhe të llojeve të caktuara të energjisë në vend dhe mundësitë për sigurimin e tyre me prodhimin e kapaciteteve vendore dhe të importit.
