VARREZAT E BUTELIT

Varrezat e Butelit, të lëna pas dore

08.07.2014 17:31

Varrezat janë shtëpia e fundit e prehjes, vendi i qetësisë dhe paqes. Por, varrezat në Butel të Shkupit nuk të asocojnë në shtëpinë e fundit të prehjes……….

Varrezat janë shtëpia e fundit e prehjes, vendi i qetësisë dhe paqes. Por, varrezat në Butel të Shkupit nuk të asocojnë në shtëpinë e fundit të prehjes.

Të gjithë ata që kanë të afërmit e tyre në këto varreza edhe pse paguajnë taksë për mirëmbajtjen e varreve, kur shkojnë për vizitë atje, përballen me pamje tronditëse.

Ka një kohë të gjatë që varrezat në Butel janë lënë pas dore, nuk mirëmbahen dhe nuk pastrohen. Nëse dëshironi të vizitoni ndonjë të afërm te këto varreza, atëherë duhet patjetër të keni kujdes nga shkurret dhe barishtet  që janë gjithandej.

Qytetarët paguajnë fatura vjetore për mirëmbajtjen e varreve të të afërmve të tyre, por mbledhësit e këtyre të hollave, varrezat i pastrojnë vetëm 4 herë në vit. Edhe pse mbi tokë të vdekurit e varrosur në këtë vend kanë pasur fe të ndryshme, nën tokë janë njësoj. Në të njëjtën gjendje katastrofale gjenden edhe varrezat e myslimanëve edhe varrezat e krishterëve. Në këtë vend nuk ka diskriminim fetar. 

Rrugicat anash varreve janë të pastruara vetëm në fillim të varrezave, më në brendi të gjithëve iu ka mbirë një metër bar mbi varr. Të gjallëve që vizitojnë të vdekurit, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ankohen e të pastrojnë vetë varret e të afërmve të tyre.

“Ata nuk e pastrojnë ashtu si i marrin ato paratë, nuk e pastrojnë ashtu siç duhet, por s’kemi çfarë të bëjmë. Patjetër e kemi të vijmë këtu, i kemi të tanët, pleqtë, baballarët, vëllezërit etj. A e shihni këtë bar, mund të ndodhë që ndonjë fëmijë të hedh ndonjë cigare dhe të kallet kjo barishte dhe pastaj ja çfarë do thonë e kanë bërë myslimanët. Ata duhet t’i marrin këto barishte dhe t’i hedhin aty ku e ka vendin. E kanë  prerë  barin gati para 1 jave dhe prej atëherë ashtu ka mbetur”, deklaroi një vizitor.

Edhe përkundër përpjekjeve tona, drejtuesit e Shoqatës Aksionare “Butel” nuk gjetën kohë të prononcohen, me arsyetimin se agjenda e tyre është tepër e ngjeshur. TVM-2  nuk arriti të sigurojë përgjigje se pse  këto varreza nuk mirëmbahen në kontinuitet.

Nëse gjatë verës ata që vizitojnë varrezat duhet të kenë kujdes nga ndonjë gjarpër i fshehur në barin që ka mbuluar varret, dimrit ka të tjera probleme. Dimrit këto varreza përmbyten nga uji.

TVM 2 do të vazhdojë edhe më tej të ndjek këtë temë, sepse edhe të vdekurit meritojnë respektin e duhur njësoj si të gjallët. (Rexhep Qamili, TVM2)