Të enjten valë e re e lagësht dhe më e ftohtë

02.01.2018 09:27

Në Shkup Petrovec mëngjesin e sotëm janë matur temperatura minimale prej minus dy gradë...

Në Shkup Petrovec mëngjesin e sotëm janë matur temperatura minimale prej minus dy gradë, ndërsa maksimale prej gjashtë gradë në Dojran.

Sipas DPHM, minus një gradë është në Berovë dhe Tetovë, zero në Vinicë, Kriva Pallankë, Gjurishtë, Krushevë, Mavrovë, Demir Kapi, Lazaropole, Kumanovë, Shkup, Shtip, Manastir dhe Strumicë, një në Gjevgjeli, dy në Pozharanë dhe Prilep, tre në Pretor dhe Topollcan, si dhe katër gradë në Dibër dhe Ohër.

Lartësia e mbulesës së borës është një centimetër në Lazaropole dhe Mavrovë, ndërsa sasia e reshjeve në 24 orët e kaluara është katër litra në një metër katror në Dibër dhe Mavrovë, dy në Krushevë, Kriva Pallankë, Ohër, Pretor, Pozharanë dhe Prilep, si dhe një litër në Vinicë, Dojran, Lazaropole, Tetovë, Manastir dhe Shtip.

Gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm moti ishte me vranësira mesatare deri në të konsiderueshme dhe me reshje lokale të shiut, ndërsa në male me borë. Ka fryrë erë mesatare nga drejtimi jugor, e cila në Manastir arriti shpejtësi deri në 60 kilometra në orë.

Gjatë ditës do të jetë me vranësira të ndryshueshme, herët në mëngjes dhe nga fundi i ditës do të ketë reshje të përkohshme të shiut. Në malet më të larta, reshjet do të jenë të borës. Do të fryjë erë mesatare nga drejtimi jugperëndimor, drejtimi i së cilës nga fundi i ditës do të ndryshojë në atë verior. Temperatura e mëngjesit do të lëvizë prej zero deri gjashtë, ndërsa e ditës nga katër deri 13 gradë.

Në Shkup dhe rrethinë do të mbajë mot me reshje të përkohshme të shiut. Do të fryjë erë mesatare nga drejtimi jugperëndimor, drejtimi i së cilës nga fundi i ditës do të ndryshojë në atë verior. Temperatura maksimale do të arrijë deri 10 gradë.

Nesër pritet stabilizim i motit me erë mesatare nga drejtimi veriperëndimor, i cili do të shkaktojë rënie të  temperaturës ditore. Të enjten do të ketë valë të re të lagësht dhe më të ftohtë me reshje lokale të shiut dhe borës dhe me rënie të temperaturave ditore. Pastaj pason periudhë e motit stabil dhe të thatë me temperatura të ulëta të mëngjesit, ndërsa të ditës do të jenë sërish në rritje.