Ahmeti: Gjykata e apelit të gjykojë drejt
Situata e krijuar në vend, pas shqiptimit me burg të përjetshëm për gjashtë të akuzuarit në rastin “Monstra”, ka qenë temë diskutimi mes kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav……….
Situata e krijuar në vend, pas shqiptimit me burg të përjetshëm për gjashtë të akuzuarit në rastin “Monstra”, ka qenë temë diskutimi mes kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit dhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav.
Me këtë rast, ambasadori Orav theksoi që Brukseli zyrtar po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni në lidhje me këtë rast, bashkë me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në vend, thuhet në kumtesën e përbashkët pas takimit të mbajtur në Reçicë.
Ndërkaq, kryetari Ahmeti, ritheksoi nevojën që pakënaqësia të manifestohet me qetësi, në mënyrë që ky rast të mos ndërlikohet dhe vështirësohet edhe më tepër.
Ahmeti shprehu pritjet që Gjykata e Apelit do të merr parasysh të gjitha shqetësimet shoqërore në lidhje me zhvillimin e gjykimit në rastin “Monstra” dhe do të vendos drejtë. Sipas tij, kredibiliteti i lëkundur i këtij procesi mund ta rikthejë besimin e opinionit vetëm përmes një procesi transparent, ku do të prezantohen të gjitha provat dhe faji të dëshmohet.
Ahmeti, me këtë rast ka theksuar se është më se e rëndësishme që ky proces të mbikëqyret nga ekspert të komunitetit ndërkombëtar me përvojë, të cilët do të kenë qasje të plotë gjatë gjithë procesit dhe në të gjitha dëshmitë. Është përgjegjësi e përbashkët që të identifikohen dhe tejkalohen përpjekjet për drejtësi selektive, duke shtuar se edhe gjykatësit dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre pа ngarkesa, në mënyrë që të rritet besueshmëria e qytetarëve në proceset gjyqësore, thuhet në kumtesë.
Kryetari Ahmeti, njëherit ka theksuar që i kupton përpjekjet e forcave politike, si dhe atyre që pretendojnë në të ardhmen ta shfrytëzojnë këtë pakënaqësi të qytetarëve, por shpreson që ky shfrytëzim i situatës mos të nënkupton edhe nxitje të dhunës.
Takimi i Ahmetit me ambasadorin Orav vjen një ditë pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Poll Volers. (Florije Kamberi, TVM2)
