Iran, edhe 9 të vdekur në protesta

02.01.2018 12:16

Nëntë persona kanë vdekur, përfshi edhe një 11 vjeçar, në protestat anti-qeveritare që po vazhdojnë në mbarë Iranin...

Nëntë persona kanë vdekur, përfshi edhe një 11 vjeçar, në protestat anti-qeveritare që po vazhdojnë në mbarë Iranin edhe këtë të martë, duke e rritur numrin e viktimave në protestat gjashtëditore në mbi 20 persona, ndërsa mbi 450 demonstratë janë arrestuar.
 
Natën e kaluar në rajonin Isfahan, në pjesët qendrore të vendit, ka pasur demonstrata në gjashtë rajone, të cilat kanë rezultuar me vrasjen e një pjesëtari të Gardës Revolucionare, një kalimtari të rastit dhe një polici, thuhet në raportin e televizionit shtetëror. Qeveria në përpjekje për të ulur euforinë e protestave ka bllokuar qasjen deri te rrjetet sociale. Po ashtu janë të bllokuara aplikacionet Instagram dhe Telegram. Lideri suprem fetar i Iranit, Ajatollah Ali Hamnei, protestat i konsideron si tentim i armiqve për të rrëzuar regjimin islamik në Iran.
 
“Armiku është i gatshëm të gjejë një mundësi, apo të krijojë një përçarje, për të depërtuar. Shikoni incidentet në ditët e fundit! Të gjithë ata që janë kundër Republikës Islamike të Iranit, ata me para, politikë, armë dhe aparate të inteligjencës bashkëpunojnë me forcat në mënyrë që ata të jenë në gjendje të krijojnë probleme për regjimin islamik, për Republikën Islamike, vlerëson Hamnei. 
 
Ndërkohë, kryetari i Gjykatës Revolucionare Iraniane, Musa Gazanfarabadi, deklaroi se demonstruesit e arrestuar mund të akuzohen nën akuzën “Moharebeh”, apo luftë kundër Allahut, e cila në Iran konsiderohet dënim me vdekje. 
 
Ndërkohë, mbështetje për protestuesit kanë shprehur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ndërsa Rusia u bëri thirrje vendeve tjera që mos të përzihen në çështjet e brendshme të Iranit.