Maqedoni

Gjyqësori gjatë vitit 2017, në bankën e të akuzuarve zyrtarë dhe ish-zyrtarë. Avokatët: Në 2017-n gjyqësori përjetoi fjasko

02.01.2018 15:59

Viti që lamë pas u karakterizua me bujë të madhe në sferën e gjyqësorit...

Orar të stërngarkuar me gjykime të njëpasnjëshme në Gjykatën Penale, sidomos kohëve të fundit kur lista e lëndëve penale u stërmbush me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale në adresë të ish-funksionarëve të VMRO-DPMNE-së. Pas shumë obstruksioneve ndaj kësaj prokurorie, më në fund filloi edhe vala e gjykimeve për rastet “Trust”, “Treaktorja”,  “Transporter”,  “Treqind”, “Total”, “Talir” dhe “Fortesa”, “Fortesa2”, “Dhuna në Qendër”, “Tarifa”, “Toplik “, ndërsa së shpejti pritet të fillojë procedura edhe për rastin “Trezor” dhe Rastin “Tank”.
 
Në rastet e lartpërmendura akuzohen funksionarë të ish-pushtetit kryesisht për keqpërdorim të detyrave dhe autorizimeve zyrtare dhe fitim të tenderëve me dokumentacion të falsifikuar, në mesin e të cilëve ish-kryministri, Nikolla Gruevski, ish-ministrat, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Vlladimir Peshevski, ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, deputetja, Daniella Rangellova, këshilltarë të Komunës Qendër, kryetarë komunash dhe funksionarë të tjerë.
 
Që 2017 mos të përfundojë pa u zbuluar organizatorët e dhunës në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, Prokuroria Publike ngriti akuza për 36 persona, në mesin e të cilëve edhe 6 deputetë. Ata akuzohen për cenim terrorist të rendit kushtetues dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak menjëherë pasi Kuvendi u mori imunitetin.
 
Deri më tani vendimet e shqiptuara gjyqësore për dhunën në Qendër kanë qenë dënime me kusht në përjashtim me sulmuesin e Radmilla Shekerinskës, i cili u dënua me katër vite burg efektiv. Pas 5 vite e gjysmë në paraburgim, pas shumë protestave, premtimeve dhe kërkimit dëshpërues për drejtësi, pas dy aktvendimeve gjyqësore për burg të përjetshëm, Gjykata Supreme vendosi që lënda për rastin “Monstra” të kthehet në rigjykim, ndërsa të akuzuarit të mbrohen në liri. Interes të veçantë për gjykimin dhe epilogun e saj përfundimtar kishte edhe për rastin e Kumanovës, ku të akuzuar janë 38 persona. Pas përleshjes policore më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, ku mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 pjesëtarë të grupit, Prokuroria Publike ngriti akuzën për veprën “Terrorizëm” dhe “Organizim terrorist”.
 
Me 746 vite burg, 8 dënime me burg të përjetshëm dhe 4 lirime nga akuza përfundoi edhe gjykimi në shkallën e parë për këtë rast. As këtu nuk munguan kritikat e opinionit, derisa ekspertët dhe avokatët kërkuan që ky rast të zbardhet deri në fund me qëllim gjetjen e organizatorëve të grupit. Kthesë të madhe në gjyqësor mori edhe rasti i Sopotit, të cilin tani e ka marrë Prokuroria Speciale, e për të cilin pas afër 15 viteve pritet epilog përfundimtar. Avokatët mbrojtës në disa nga rastet e lartpërmendura, Mefail Asllani dhe Asmir Alispahiq, vlerësojnë se viti 2017 në sferën e gjyqësorit ka qenë mjaft turbulent dhe devijues. 
 
“Gjatë vitit 2017 nuk mund të gjej moment që është për lavdërata konkretisht për gjyqësorin dhe proceset gjyqësore që janë zhvilluar gjatë viti 2017. “Kumanova”, si një proces megaloman ku të akuzuarit u dënuan me mbi 740 vjet burg pa dëshmi dhe pa u vërtetuar gjendja faktike se çka konkretisht ndodhi në Kumanovë. Është patjetër të ketë hetim ndërkombëtar nëse duam ta ndërpremë këtë devijim të sistemit gjyqësor për hir të së drejtës. Unë si avokat jam optimist, kemi një sinjal që u bë në fundin e 2017, është rasti “Monstra” që u rikthye nga fillimi, që konkretisht ekziston dëshirë dhe u krijua ambient që këto raste të gjykohen ashtu si duhet”,- tha avokati, Mefail Asllani.
 
“Unë gjithë atë periudhë prej një viti do ta vlerësoj si turbulent, si në pjesën e vendimeve ashtu edhe në pjesën e aktakuzave të ngritura nga PPS. Siç është i  njohur edhe publiku, u zhvilluan një numër i madh i gjykimeve prej të cilave disa u anuluan. Ky vit njëkohësisht sipas vlerësimit tim është vit i shpresës, sidomos në pjesën e zgjedhjes së kryeprokurorit publik, Lubomir Jovevski. Besoj se me zgjedhjen e tij përfundimisht do të zbardhen të gjitha ato raste të kualifikuara nga departamenti State si raste të montuara”,- theksoi avokati,  Asmir Alispahiq.
 
Trendi i ngjashëm i gjykimeve pritet edhe këtë vit me padi, akuza, ankesa dhe dëshmi të reja. Ndërsa gjyqësori, për shkak të lëndëve të lartpërmendura dhe reformave të paralajmëruara, do të vazhdojë të mbetet në qendër të opinionit të brendshëm, por edhe atij ndërkombëtar edhe këtë vit. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI