Maqedoni

Batica dhe zbatica në arsim gjatë 2017-s, MASh për 2018-n parasheh ngritje të cilësisë në arsim

02.01.2018 16:21

Arsimi fillor, i mesëm dhe ai universitar, vitin që lamë pas u karakterizua me një sërë reformash që kishin për qëllim përmirësimin e cilësisë së procesit arsimor...

Testimi ekstern që zbatohej nga viti 2013 u ndërpre këtë vit dhe kjo ishte suksesi më i madh që u arrit, vlerësojnë mësimdhënësit dhe nxënësit.
 
MASh këtë vit formoi grupe punuese që kishin për qëllim revizionin e teksteve mësimore, andaj u mbajtën debate në këtë drejtim, u formuan edhe grupe punuese që ende po punojnë për ndryshimin e teksteve shkollore tek të cilat ka gabime teknike, përmbajtësore, fakte të pavërteta, përmbajte diskriminuese dhe në të cilat është përdorur gjuha e urrejtjes.
 
Por, mësimdhënësit ankohen edhe për mbingarkesë me punë administrative dhe se këtë vit edhe më tej nuk ka pasur ndryshime në tekstet shkollore.
 
“Kemi shumë notime të shpeshta, çdo tre muaj me shkrim, kemi ende probleme me ditarin elektronik dhe është dyfishuar puna, kemi edhe problemin me planprogramet, ku në disa tekste ende nuk ka ndryshime për nga përmbajtja e temave, si p.sh. historia, gjuha shqipe, gjeografia, por edhe për klasat e ulëta, jam tepër skeptik në tekstin e lëndës së muzikës”,- tha një arsimtar.
 
“Kanë shumë lëndë përkundër që janë fëmijë të vegjël, kanë shumë lëndë dhe duhet të ndryshoj kjo, t’i lehtësojnë pak më shumë”,- theksoi një prind. 
 
Viti që lamë pas ishte i suksesshëm konsideron zëvendësdrejtori, Nazmi Ramani, i cili thekson sukseset e nxënësve në gara dhe potencon se vendimi për heqjen e testimit ekstern ka lehtësuar punën e profesorëve dhe nxënësve, sepse tani vlerësimi është korrekt.
 
“Mund të themi se ishte një vit i suksesshëm në aspektin mësimor, kishte rezultate të mira të nxënësve në gara lokale dhe republikane, përveç asaj vlen të theksohet dhe të përmendet se këtë vit u hoq testimi ekstern, nga heqja e tij kanë përfitime edhe nxënësit edhe profesorët, sepse notimi lirohet vetëm në dorë të profesorëve, që nënkupton vlerësim real gjatë tërë vitit shkollor”,- u shpreh zëvendësdrejtori në ShM “Arseni Jovkov”, Nazmi Ramani.
 
“Heqja e testimit ekstern ka qenë një ndër vendimet më të mira të ndërmarra deri më tani, sepse ka qenë test që u dha shumë stres si nxënësve dhe profesorëve, sepse për një kohë shumë të shkurtër, për 60 minuta, dhe nuk mundet një nxënës të testohet brenda asaj kohe, raportet mes nxënësve dhe profesorëve kanë qenë shumë të mira, po ashtu edhe sukseset e shkollës kanë qenë të mëdha, kemi marrë pjesë në garat e basketit, ku shkolla jonë është në finale dhe shpresojmë se do ta marrim vendin e parë”,- tha një nxënëse.
 
Reformat këtë vit u përgatitën edhe për arsimin sipëror. Grupe punuese u formuan nga MASh-i dhe propozim ligji për arsim sipëror nga 18 dhjetori u vendos në regjistrin elektronik në mënyrë që të jepen sugjerime për versionin e ri të ligjit.
 
Në UNT u siguruan kushtet që studentët në mënyrë cilësore të ndjekin studimet, edhe pse kishte  shumë sfida dhe ndodhi politike, që ngadalësuan procedurat e zgjedhjes së kuadrit mësimor, por edhe përskaj kësaj UNT arriti të ekipohet.
 
Sa i përket punës në universitetet,  tani më kanë formuar dhe grup punues, i cili do të paraqesë sugjerimet në MASh për propozim ligjin për arsim sipëror.
 
“Pasi të jenë grumbulluar të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e profesorëve, ato do zë shqyrtohen në këshillat e rektoratit dhe do dorëzohen në MASh. Në parim ne si universitet i ri për shkencat teknike do të kishim dashur që ligji të parasheh mundësi për shkencat teknike, ku studimi është i shtrenjtë dhe interesimi i studentëve është i vogël, financimi, për shkak të interesit publik të shqiptarëve të Maqedonisë do ishte mirë që ligji të parashohë mundësi shtesë të financimit për fakultetet teknike që janë në zhvillim e sipër”,- deklaroi profesori  universitar, Rizvan Sulejmani.  
 
Qëllimi i propozim ligjit për arsim sipëror është që të rritet autonomia e universiteteve, cilësia e studimeve, si dhe të ketë lëvizje studentore të mirëfillta që do t’i përfaqësojnë interesat e studentëve.
 
FLUTURA LATIFI