Botë
Dorëhiqet kryetari i VV-së, Visar Ymeri, shkas linçimet dhe shpërfillja
02.01.2018 17:01
Kryetari i deritanishëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe funksionet në Vetëvendosje...

Duke arsyetuar dorëheqjen, Ymeri tha se në thelb të organizimit të saj Vetëvendosje ka pasur tri shtylla: besnikërinë ndaj konceptit politik, besimin e ndërsjellë mes aktivistëve të bazuar në vlerën fondamentale të barazisë, si dhe vetëmohimin, të cilat vitin e fundit, sipas tij, kanë filluar të rrënohen.
“Jemi përballur me një fushatë sistematike të shpifjeve insinuatave, linçimeve dhe etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues e bashkëpunëtorë shërbimesh. Njerëzit që e kanë shpërndarë një propagandë të këtillë vazhdimisht janë thirrur në emrin e Albin Kurtit”,- tha kryetari i deritanishëm i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Ymeri tha se këtë metodë nuk e pëlqen dhe nuk e mbështet, prandaj edhe si rezultat i asaj se nuk arriti të ndalë këtë përçarje brendapartiake, ai jep dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Vetëvendosje.
Dorëheqja e Ymerit vjen pas paraqitjes së kandidaturës së Albin Kurtit për t’u rikthyer në postin e kryetarit të Vetëvendosjes, me çka duket se nuk janë pajtuar grupi i Ymerit. Pas lirimit nga paraburgimi, Albin Kurti ka deklaruar se Vetëvendosje ka nevojë për reformë organizative.
Ndërsa përçarja në Vetëvendosje nisi me një ofendim që deputetja, Aida Dërguti, e kishte bërë për Kurtin, pas çka filluan përplasjet publike që çuan në dorëheqjen e Dërgutit, sekretarit organizativ, Dardan Mulliqajt, dhe së fundmi edhe kryetarit të deritanishëm, Visar Ymerit.
GYLTENE SINANI
