Maqedoni
Qeveria greke: Këtë vit pritet zgjidhje për emrin e Maqedonisë. Pendarovski: Marrëveshja për emrin do të dalë në referendum
02.01.2018 17:26
Viti 2018 do të mund të jetë viti kur do të mbyllet çështja e emrit, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë greke, Dhimitris Xanakopulos, në intervistën për televizionin shtetëror grek ERT...

Ai tha se këtë vit ekziston dritare për mundësi për zgjidhje dhe i bëri thirrje Demokracisë së Re që të përkujtohet në mospajtimet brendapartiake në vitin 1992, pikërisht për shkak të emrit dhe sqaroi se Panos Kamenos nuk do të jetë pengesë për zgjidhjen.
"Gjatë vitit 2018, nëse merret parasysh edhe pozicioni pozitiv të cilin e përcjell udhëheqësia politike e FYROM-it, ekziston, hapet, një dritare për mundësi që të zgjidhet problemi që nuk është zgjidhur tashmë 25 vite edhe në vendin tonë edhe në vendin fqinj. Mendimi im është se duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare për mundësi, duhet t'i gjejmë kushtet më përkatëse dhe procesin më adekuat, që të nisemi drejt zgjidhjes së problemit",- tha zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë.
Optimizëm për zgjidhjen e çështjes së emrit ka shprehur edhe kryeministri grek, Aleksis Cipras, por pret edhe hapa konkretë nga ana e Maqedonisë. Në një intervistë për një radion greke, Cipras foli për sfidat dhe pritjet në vitin 2018.
"Jam optimist se mundemi në mënyrë efikase dhe me përgjegjësi të menaxhojmë me çështjen të cilën e trashëguam nga qeveritë paraprake. Gjithnjë derisa nga ana tjetër me të vërtetë ekziston dëshira që të bëhen hapa, mbetet ta shohim atë, besoj se mund të bëhen hapa drejt daljes nga situata e pazgjidhur”,- është shprehur Cipras.
Gatishmëri për zgjidhjen e çështjes së emrit shpreh edhe pala maqedonase. Por, autoritetet e Maqedonisë nuk përjashtojnë mundësinë e referendumit. Krahas insistimit të VMRO-DPMNE-së opozitare për t’u mbajtur referendum në lidhje me çështjen e emrit, edhe zyrtarë qeveritarë thonë se referendumi është i nevojshëm.
“Referendum duhet të ketë, këtë e kanë thënë edhe ministrat e resorit. Patjetër që duhet të ketë, por kuptohet nëse marrim ndonjë propozim të arsyeshëm, i cili do të mund të shkojë në referendum, për shkak se nuk mundet që çdo çmenduri që mund të ndodhë në atë proces të vendoset në referendum dhe të maltretojmë një popullatë 2 milionëshe”,- deklaroi koordinatori kombëtar për NATO-n, Stevo Pendarovski.
Pas disa vitesh ngecje, negociatat me ndërmjetësim të përfaqësuesit të OKB-së, Metju Nimic, rifilluan në fund të vitit të kaluar, ndërsa në pjesën e parë të këtij viti pritet intensifikimi i tyre për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare.
ERSAN PAJAZITI
