Nutricionistët: Kujdes ushqimin gjatë agjërimit

08.07.2014 17:42

Një numër i madh i agjëruesve konsumojnë sasi të tepërta të ushqimit, i cili më pas është pengesë që dita të kalojë me energji të plotë gjatë kryerjes së obligimeve të punës………

Përveç humbjes së peshës, agjërimi ka edhe dobi të shumta shëndetësore në rast se agjëruesit u përmbahen këshillave për mënyrën e konsumimit të ushqimit.

Një numër i madh i agjëruesve konsumojnë sasi të tepërta të ushqimit, i cili më pas është pengesë që dita të kalojë me energji të plotë gjatë kryerjes së obligimeve të punës.

Ekipi i TVM 2, konsultoi nutricionisten, Cveta Dineva, specialiste në sferën e të ushqyerit, e cila na dha rekomandime se si duhet të ushqehemi gjatë agjërimit, duke potencuar se fillimisht pihet ujë, konsumohen pemë dhe më pas hahet ushqim i njëtrajtshëm, gjë që shumica prej nesh nuk e praktikojmë.

“Iftari fillohet me një gotë ujë me pak limon, më pas duhet të konsumohen pemë siç janë: shalqiri, pjepri, hurmat. Pas dhjetë minutash duhet të ulemi në tryezë të hamë sallatë të freskët dhe më pas ushqim që tretet lehtë, p. sh. mish dhe paçë dhe kurrsesi të mos kombinohen shumë ushqime dhe në fund të lihet deserti”, deklaroi nutricionistja, Cveta Dineva.

Gjatë syfyrit është me rëndësi të konsumohet ushqim që nuk përmban krip dhe të mos agjërojmë pa e ngrënë këtë shujtë.

“Syfyri duhet patjetër të konsumohet, por assesi me ushqim që është termikisht i përpunuar. Është me rëndësi të pihen lëngje, të konsumohet shalqiri, i cili përmban vitaminë dhe ujë, që të mos vijë deri te dehidrimi i organizmit. Më pas duhet të konsumohen arrat, lajthitë, banania dhe t’i iket përdorimit të kripës”, theksoi Dineva.

Ndërkohë, dr. Arben Zyberi potencon kategoritë e njerëzve të cilët nuk duhet të agjërojnë për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tyre.

“Njerëzit me sëmundje kronike kardiovaskulare, gratë shtatzëna, të sëmurit nga diabeti, pleqtë dhe fëmijët për shkak të temperaturave të larta, nuk duhet të agjërojnë”, potencoi dr. Arben Zyberi.

Të sëmurëve kronik do tu përkeqësohet shëndeti nëse agjërojnë, ndërsa nëse u përmbahemi rekomandimeve të nutricionistëve, organizmi ynë do të pastrohet nga toksina dhe po ashtu përfitim do të ketë edhe në përmirësimin e shëndetit psikik, siç është tejkalimi i gjendjeve depresive. (Flutura Latifi, TVM2)