Botë

Trump: Sanksionet po ndikojnë te Pheniani

02.01.2018 17:59

Presidenti amerikan, Donald Trump, vlerëson se bisedimet në mes të Koresë Veriore dhe Koresë Jugore...

Presidenti amerikan, Donald Trump, vlerëson se bisedimet në mes të Koresë Veriore dhe Koresë Jugore janë shenjë se Pheniani është duke u ndikuar nga sanksionet që i janë vënë, pas testimeve të raketave balistike dhe armëve bërthamore.

“Sanksionet dhe presionet e tjera kanë filluar të kenë ndikim të madh tek Koreja Veriore. Ushtarët janë duke ikur me rrezik drejt Koresë Jugore”,- ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter.

“Njeriu i raketave tani dëshiron të bisedojë me Korenë Jugore për herë të parë. Ndoshta ky është lajm i mirë, ndoshta jo, do të shohim”,- ka thënë presidenti Trump.

Këto reagime të Trumpit kanë ardhur pas deklaratave të liderit veri-korean, Kim Jong Un, se ka mundësi për zhvillimin e bisedimeve në mes të dy vendeve për të diskutuar pjesëmarrjen e një ekipi të Koresë Veriore në Lojërat Olimpike Dimërore që nisin muajin tjetër në Pieonçang.