Hulumtimet: Maqedonia surprizon, të parët për ekonomi, të fundit për lumturi

03.01.2018 13:08

Në hulumtimet e disa organizatave ndërkombëtare, të sublimuara nga radio “Evropa e Lirë”....

Në hulumtimet e disa organizatave ndërkombëtare, të sublimuara nga radio “Evropa e Lirë”, vendi ynë rangohet mirë për sa i përket kushteve për udhëheqjen e biznesit dhe lirive ekonomike, por megjithëkëtë Maqedonia është vendi i fundit në rajon për sa i përket indeksit të lumturisë.

Sipas parametrave për lehtësimin e udhëheqjes së biznesit, të përpunuara nga Banka Botërore për 190 vende, Maqedonia është më së miri e radhitur nga të gjitha vendet në rajon dhe gjendet në vendin e 11.

Sllovenia është e 37-a, Kosova e 40-a, Serbia e 43-a, Kroacia 51-a, ndërsa BeH në vendin e 86. Maqedonia është vendi më i mirë i radhitur në rajon lidhur edhe me liritë ekonomike dhe gjendet në vendin e 31 prej 180 vendeve.

Sipas indeksit të lirive ekonomike të llogaritur nga ana e WSJ Heritage foundation, Kosova është në vendin e 56, Mali i Zi i 83-i, BeH e 92-a, Kroacia e 95-a, Sllovenia e 97-a dhe Serbia në vendin e 99. Por, megjithëse ekonomia duket se nuk na shkon keq, kur bëhet fjalë për indeksin global të lumturisë, që e ka përgatitur Earth Institute, prej 155 vendeve, Maqedonia është në vendin e 92, ndërsa para saj të gjitha vendet në rajon.

Lidhur me indeksin e perceptimit të korrupsionit të llogaritur nga Transparency International, prej 176 vendeve, Maqedonia është në vendin e 90, BeH e 83-a, Serbia e 72-a, Mali i Zi i 64-i, Kroacia e 55-a dhe Sllovenia në vendin e 31-ë. Lidhur me lirinë e mediave, sipas Fridom Hause, nga 199 vende Maqedonia është në vendin e 139, para saj janë vendet e tjera në rajon.

Lidhur me të njëjtën çështje, “Reporterë pa Kufi”, Maqedoninë mes 180 vendeve e radhit në vendin e 11. Lidhur me vlerën e pasaportës, Maqedonia është në mesin e tabelës mes vendeve nga rajoni, respektivisht në vendin e 93. Nga Maqedonia pa viza mund të udhëtohet në 108 vende të tjera. Më mirë nga vendet e rajonit, apo vendin e 10, është Sllovenia, pasi me pasaportën e saj pa vizë mund të shkohet në 150 vende dhe Kroacia në vendin e 14, me pasaportën e së cilës mund të shkohet në 145 vende.

Serbia është në vendin 35, ndërsa me pasaportën e saj mund të shkohet pa vizë në 114 vende, me pasaportën malazeze në 105 vende, me pasaportën e BeH-së në 101 vende, ndërsa me pasaportën e Kosovës pa vizë mund të shkohet vetëm në 41 vende. Lidhur me indekset për dobësi të shteteve dhe kërcënimit për terrorizëm, vendi ynë gjendet në mes të listës,  tregojnë të dhënat e përmbledhura.